Duket sikur po përmbyset bota.
Jemi mësuar që Bajerni I Mynihut të jetë një gjigand në futboll, por ja që klubi bavarez ka nisur të jetë I madh edhe në sportin e koshit.
Çfarë mund të thuash tjetër kur sheh se Barcelona qenka shkatërruar në Arenën e Mynihut me shifrat 100-78!
Një diferencë e frikshme prej 22 pikësh, dhe “fajtori” kryesor për këtë ishte një basketbollist I kombëtares së Gjermanisë me emrin Andreas Obst.
Lojtari 28-vjeçar theu një rekord të veçantë të Euroligës, atë për shënimin e koshave tripikësh në një ndeshje.
Obst ishte tepër I frymëzuar dhe arriti në 11 gjuajtje të sakta nga largësia, madje në një moment kishte saktësinë me 10 realizime në 12 gjuajtje të tentuara.
Kjo të kujton klasin e kroatit Toni Kukoç që shënoi 11 nga 12 gjuajtjet për tri pikë kur luante për Jugosllavinë në Kampionatin Botëror për të rinj në 1987.
Rekordin e mëparshëm e mbanin Shejn Larkin që shënoi dy herë 10 kosha të tillë, dhe Drju Gudelok po me 10.
Në total, ylli I Bajernit pati 34 pikë në vetëm 28 minuta e gjysmë në lojë, ndërsa bavarezët u ndihmuan nga amerikanët Eduards me 25 pikë e Buker me 10, si dhe Vajler-Bab me 14.
Tek Barcelona u dallua vetëm amerikani Parker me 26 pikë, ndërsa dy ekipet e mëdha spanjolle janë në krizë, pra edhe Reali.
Në krye të Euroligës është gjigandi turk, Fenerbahçe më 9 fitore e vetëm dy humbje, I ndjekur nga Olimpiakos, por edhe nga Bajerni e Parisi me nga 8 fitore e 3 humbje, si ekipet që po luajnë basketbollin më të mirë të sezonit. /abcnews.al