Mëkat që nuk arritën dot në çerekfinale. Basketbollistet e Italisë i dhanë një lamtumirë madhështore Kampionatit Botëror për femra, pas një humbjeje dramatike ndaj Australisë favorite, ndërsa në parket shkëlqeu në veçanti vajza me origjinë shqiptare.
Lorela Cubaj, titullare për vajzat e kaltra, e që luajti mbi 23 minuta, e katërta më shumë e aktivizuar nga të vetat, mori notën tepër të mirë 17, e lënë pas vetëm nga Kostanca Verona me 19.
Kjo në ndeshjen e raundit të dytë me synim kalimin në çerekfinale.
Basketbollistja qendër, shtatlartë 1.94 metra, nuk shënoi shumë pikë, 6, por kapi 8 topa në tabela e shërbeu 5 asistë.
Në të dy këta elementë, ishte më e mira për Italinë, dhe ndër tre më të mirat në fushë përfshi edhe australianet.
Skuadra nga Oqeania pati epërsi deri në 26 pikë, duke treguar klasin si një nga ekipet më të mira të botës në basketbollin për femra, por asgjë nuk kishte përfunduar.
Italianet luftuan fort, të udhëhequra nga Verona me 23 pikë, por edhe nga Cubaj, Zandalazini, Olbis dhe debutuesja Blazig.
Rezultati u barazuar në mënyrë të pabesueshme 77-77, ndonëse mrekullia nuk ndodhi.
Australia, numri 3 në renditjen botërore të këtij sporti, ia doli 82-80 edhe me fat, ndërsa Të Kaltrat duhet ta provojnë një herë tjetër.
Sidoqoftë, ishte sukses pasi Italia u kualifikua për në finalet e një Botërori pas plot 32 viteve, zunë vendin e 9-të, rezultati më I mirë I saj që nga 1979.

