Nuk duan në asnjë mënyrë të jenë nën hijen e rivalëve. Skuadra e basketbollit të djemve e Olimpiakosit hodhi një hap të madh përpara në garën e përjetshme ndaj Panathinaikosit, duke fituar titullin kampion të Europës për herë të katërt në histori.
“Të blertët” janë ende përpara, me 7 tituj fituar kryesisht me trajnerin legjendar Zeljko Obradoviç, por të kuqtë po afrohen. Finalen e këtij edicioni ndaj Realit e patën pikërisht në shtëpi, në Arenën e madhe “Paqja e Miqësia” në Athinë, të quajtur me inicialet OAKA, dhe në prani të mbi 18 000 tifozëve u duk se titulli ishte i sigurt.
Nuk ndodhi kështu, e madje u rrezikua humbja përballë gjigandëve spanjolle, që janë edhe rekordmenë të titujve. Reali kryesoi 9-1, 15-3 dhe 29-19 që në periodën e parë, ndërsa më pas beteja u ekuilibrua.
Olimpiakos kaloi përpara për herë të parë 38-36, duke e mbyllur dy pikë para ndeshjen në pushim. Sërish madrilenët, 11 herë kampionë të Europës, kryesuan deri në 6 pikë, por nuk mundën të fitonin.
Grekët reaguan dhe pastaj ia dolën të kishin nervat më të forta deri në fund. Për ta, Furnie shënoi 20 pikë, Piters 16, Vezenkov 12 dhe Uokap 10.
Reali ishte I shkëlqyer me të tillë si amerikanin Lajls me 24 pikë e 8 topa në tabela, apo kroatin Mario Hezonja me 19 pikë, 5 topa në tabela e 4 asiste, si dhe 4 vjedhje topi.
Statistika këto për në NBA.
Në fund, Olimpiakos ia doli 92-85, ndërsa madrilenët qanë mungesat e shumta, sidomos të basketbollistëve qendër.
Plot 2.4 milionë euro do të marrin kampionët e rinj të Europës, dhe 2.1 milionë spanjollët.


