Kukësi duket krejt tjetër nën drejtimin e trajnerit Peter Pakult. Me austriakun në stol janë fituar dy miqësore të forta në Antalia, ndërsa pritet sfida me Fenerbahçen e shquar.
Janë vetëm miqësore, por ndoshta vërtet diçka ka ndryshuar.
Kukësi sikur nuk është më ai i mëparshmi dhe nën drejtimin e trajnerit Peter Pakult fitoi edhe miqësoren e dytë në Antalia.
Sërish përballë një ekip vendas, nga Turqia, këtë herë emër më i madh se Kaizerispori.
Ishte Bursaspori që u mund 2-1 me përmbysje, me dy golat e shënuar pas pushimit.
Pasi turqit kishin kaluar në epërsi me rrjetën e Batajës, në minutat 67 e 70, goditën Imami dhe i sapoardhuri Donjet Shkodra.
Trajneri austriak luajti me formacionin më të mirë, duke pasur në portë titullarin Koliçi, dhe në ekip lojtarë të sprovuar si Shameti, Rrumbullaku, Alla, Musolli, Elis Bakaj apo Guri.
Bashkë me ta edhe përforcimi i ri, Shkodra si dhe një futbollist që po fiton besim si Klevis Sadiku.
Tani, kampionët e Shqipërisë do të kenë mundësi të përballen me një emër të madh në miqësoren e tretë.
Në 13 janar, në Antalia ndeshen me Fenerbahçen e Stambollit, njërin prej tre klubeve më të mëdhenj të Turqisë, ndërsa besimi është se faza e dytë e sezonit në Shqipëri do të jetë mjaft e mirë, dhe të paktën do të arrihet kualifikimi për në Ligën e Europës./abcnews.al