TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dënuar sulmin terrorist në kompleksin e Industrisë Turke të Aviacionit dhe Hapësirës (TUSAŞ) në kryeqytetin Ankara, ku pesë persona humbën jetën dhe 22 janë plagosur.
Me një shënim në “X”, shefi i qeverisë tha se Shqipëria qëndron në krah të Turqisë, ndërsa shprehu bindjen se vendi mik do të dalë më i fortë pas këtij sulmi frikkacak, që shënjeshtroi njerëz të pafajshëm.
“Jemi thellësisht të tronditur nga raportimet për viktimat dhe të plagosurit në Ankara.Shqipëria qëndron krah Turqisë si dy kombe vëllazërore dhe aleate të NATO-s.
Dënojmë ashpër terrorizmin në të gjitha format e tij dhe jemi plotësisht të bindur se Republika e Turqisë do të dalë më e fortë nga ky akt i pabesë ndaj qytetarëve të saj të pafajshëm.”, shkroi Rama.
Presidenti i Turqisë, Erdogan tha sot se sulmi terrorist “i neveritshëm” në kryeqytetin Ankara synoi “mbijetesën, paqen dhe iniciativat e mbrojtjes” të vendit.
“Sulmi terrorist kundër TUSAŞ-it, një nga organizatat lokomotivë të industrisë turke të mbrojtjes, është një sulm i neveritshëm që synon mbijetesën dhe paqen e vendit tonë dhe iniciativat tona mbrojtëse që janë simboli i idealit tonë të ‘Turqisë Plotësisht të Pavarur’”, shkroi Erdogan në “X”./ abcnews.al