Kryeministri Edi Rama prezantoi portalin online “Infermierët për Shqipërinë”, përmes të cilit do të bëhet rekrutimi në punë i infermierëve. Rama tha se aktualisht janë 420 vende të lira pune për infermierë. Kreu i qeverisë lajmëroi rritje pagash për këtë kategori dhe bonus deri në 250 mijë lekë për mjekët specialistë që pranojnë të punojnë në rrethe.
“Infermierët për Shqipërinë” është portali më i ri qeveritar. Përmes tij do të bëhet rekrutimi i infermierëve në sistemin shëndetësor. Kryeministri Edi Rama e vlerësoi platformën në fjalë si shpëtimin përfundimtar të këtij profesioni nga kthetrat e politikës dhe si garancinë e çdonjërit prej tyre për të mos u lëvizur nga vendi i punës për arsye partiake.
“Nga sot çdo infermier apo infermiere që do të rekrutohet në sistemin tonë shëndetësore do të mund të rekrutohet vetëm falë meritës dhe aftësive të veta. Në bazë të testimit secili do të marrë pikët që i takojnë. Në bazë të pikëve secili do të marrë vendin e vet në klasifikim dhe në bazë të klasifikimit, kuptohet, shpërndarës sipas zonave gjeografike do të merren individët me radhë, jo duke kapërcyer radhën, në plotësimin e vendeve vakante”.
Kryeministri zbuloi se sa vende të lira pune janë për infermier.
“Janë 420 vende vakante. Ne kemi refuzuar ti mbushim vendet vakante me ndërhyrje nga poshtë nga anash dhe nga lart, pasi përgatiteshim për këtë proces”.
Kreu i qeverisë lajmëroi rritje rrogash në sistemin shëndetësor, duke veçuar atë të infermierëve.
“Ne kemi programuar një rritje progresive të mëtejshme për rrogat për infermierët, në gjithë sistemin, po per infermierët në radhë të parë”.
Rama cilësoi si serioze mungesën e mjekëve specialistë në zonat jashtë Tiranës. Në vijim ai dha lajmin e mirë për ta.
“Unë kam thënë që kjo mund të zgjidhet duke iu dhënë atyre një pagë të barabartë, ose pak a shumë si paga që do të merrnin po të arratiseshin sot në Gjermani apo Itali pa pasur parasysh taksat. Kjo është vendosur. Nga sot, dua ta dinë të gjithë, që kush do të pranojë, mjek specialist, të shkojë jashtë Tiranës ku ka nevojë për specialistë do të marrë deri në 2.5 milionë lekë të vjetra plus rrogës që merr si specialist në Tiranë”.
Më herët, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se platforma “Infermierët për Shqiperinë” është një reformë që garanton vlerësim mbi bazë merite dhe i jep fund punësimit përmes mikut, tarafit apo partisë./abcnews.al