Kthehet për diskutim në Kuvend projektligji për studentët e mjekësisë në universitetin publik. Në komisionin parlamentar të edukimit zëvendësministrja e Arsimit prezantoi ndryshimet e bëra pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në projektligj shkurtohen vitet e punës së detyrueshme në Shqipëri pas diplomimit, në tre vjet për studentët e vitit të parë, në dy vjet për ata nga viti I dytë në të katërt dhe në një vit për studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë. Gjithashtu detajohen detyrimet e ministrive përkatëse për punësimin e mjekëve të rinj.
Studentët e mjekësisë nuk janë dakord as me këto ndryshime. Ata kërkojnë anulimin këtij projektligji dhe hartimin e një drafti të ri që sipas tyre të motivojë mjekët të qëndrojnë në Shqipëri.
Në komsionin parlamentar të shëndetësisë ishte parashikuar një seancë dëgjimore me ta, por studentët e mjekësisë kërkesën e tyre, Kuvendit, ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit ja dërguan me shkrim. Ata propozojnë shpalljen e mjekësisë së përgjithshme në degë prioritare ku çdo student të mbështetet me pagë minimale çdo muaj.
Të gjithë mjekët e rinj gjatë specalizimit të paguhen me 80% të pagës së mjekut specialist dhe të dyfishohet pagesa e rojeve gjatë specializimit. Në përfundim të specializmit të punësohen në spitalet e vendit për aq vite sa janë paguar. Studentët e mjekësisë kërkojnë gjithashtu që nje buxhet i posaçëm të lëvrohet për trajnimin e tyre jashtë vendit./abcnews.al