Ukraina pas sulmit masiv ajror rus ndaj infrastrukturës

schedule15:28 - 28 Gusht, 2024

schedule 15:28 - 28 Gusht, 2024

Ukraina po vepron me shpejtësi për të riparuar rrjetin energjetik dhe sistemin e transportit pas sulmeve masive ajrore në të gjithë vendin të hënën nga Rusia. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lesia Bakalets, ushtria ukrainase thotë se Rusia përdori më shumë se 200 raketa dhe dronë dhe ndërmori sulme të tjera të martën. Qytetet ukrainase po përballen me mungesë energjie elektrike, ndërprerje të furnizimit me ujë dhe çrregullime transporti.

Ukrainasit kanë vënë në punë gjeneratorët pas sulmit rus ndaj infrastrukturës. Strehimoret e njohura si “Qendra të Pathyeshme”, u shërbejnë nevojave të ndryshme të ukrainasve pas sulmit masiv ajror.

“Ndërprerjet e energjisë filluan në orën 9 të mëngjesit, pas sulmit rus. Dritat erdhën vetëm për rreth 20 minuta. Ka ardhur mbrëmja dhe ende nuk kemi drita”, thotë për Zërin e Amerikës Kateryna Pavlenko, me këshillin e qytetit Gostomel.

Shumë ukrainas shkuan në strehimoren në Gostomel në rajonin e Kievit.

“Njerëzit nuk kishin kohë të përgatiteshin. Shumë prej tyre erdhën në qendrën tonë për ujë të ngrohtë, për të punuar apo karikuar pajisjet e tyre”, tregon zonja Pavlenko.

Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, thotë se sulmet ruse prekën të paktën 15 rajone. Ushtria ukrainase thotë se Rusia synonte kryesisht infrastrukturën energjetike.

“Situata energjetikë mbetet e vështirë pas sulmit të Rusisë ndaj rrjeteve të shpërndarjes dhe transmetimit të energjisë. Por ekspertët dinë si ta riparojnë dëmin. Nuk jemi si në vitin 2022 kur filloi agresioni”, thotë Gennadiy Ryabtsev, ekspert i tregut të energjisë.

Qytetet e tjera, si Zhytomyr, u përballën me ndërprerje të ujit.

“Raketat goditën infrastrukturën energjetike duke shkaktuar ndërprerje të rrymës. Ujësjellësi po përdor gjeneratorët dhe uji vjen dy ose tre herë në ditë për 2-3 orë. Situata është përmirësuar dhe furnizimi me energji elektrike është në një shkallë minimale”, thotë kryebashkiaku Serhii Sukhomlyn.

Sulmi rus shkaktoi probleme edhe në transport. Zëri i Amerikës bisedoi me Oleksandr Shevchenkon, zëdhënës për hekurudhën shtetërore të Ukrainës.

“Po bëjmë çmos për të rregulluar transportin e trenave që është shtyrë nga 5 deri 7 orë. Të paktën tre trena do të nisen me vonesë.”

Sipas një operatori shtetëror të energjisë elektrike, Ukrenergo, sulmi i 26 gushtit ishte i nënti që goditi infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Zyrtarët nuk kanë bërë të ditur shkallën e plotë të dëmeve të shkaktuara nga sulmet ruse. /voa

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!