Tre të vrarë dhe një tjetër i plagosur rëndë është bilanci i një atentati mafioz në Memaliaj pak para mesnatës së të dielës.
Ngjarja ndodhi në një lokal në lagjen numër tre të qytetit në orën 23:20. Dyshohet se shënjestër e këtij atentati ishin familjarë të Andrea Kalemit, i njohur si person i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale. Viktimë ka mbetur babai i Andrea Kalemit 74 vjeçari Shyqyri Kalemi, ndërsa është plagosur rëndë vëllai i tij Artur Kalemi 57 vjeç. Plumbat kanë kapur aksidentalisht duke lënë të vdekur edhe kamerierin dhe një klient që ndodhej në lokal.
Ngjarja ka ndodhur në lokalin në pronësi të Artur Kalemit, xhaxhait të Andrea Kalemit.
Mësohet se dy vëllezërit Kalemi, Arturi dhe Shyqyriu kanë qenë të ulur në të njëjtën tavolinë, në momentin që ka nisur breshëria e armëve. Plumbat i morën jetën në vend, 74 vjeçarit, ndërsa 57 vjeçari ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Fatkeqësitë të vdekur në këtë ngjarje mbetën edhe Marsel Cela klient si dhe kamerieri i lokalit Gledian Muka.
Nga të dhënat mësohet se autorët që mendohet të kenë qenë tre persona janë afruar pranë ambienteve të lokalit me automjetin e tyre dhe menjëherë kanë hapur zjarr duke lenë pas tre viktima, ndërsa janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Pas kontrolleve nga ana e policisë është konstatuar se në fshatin Bejaj te Mallakastrës është gjetur një mjet duke u djegur që mendohet të jete i autoreve të ngjarjes.
Pista kryesore e hetimit është ajo e hakmarrjes. Dyshohet se shënjestër e atentatit të ketë qenë babai i Andrea Kalemit. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë së lokalit ku ndodhi ngjarja. Operacionit për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar në jug të vendit i janë bashkuar gjithashtu forcat speciale RENEA dhe forcat kombëtare të sigurisë, të cilët kanë rrethuar zonën dhe kanë shtrirë kërkimet edhe në Fier e Berat.
LEXO EDHE: ‘Gjërat Tona’/ Aleksandër Sadikaj dhe Edmond Papa, dy vrasje që i lidh kokaina