Kuvendi ka miratuar me 96 vota pro dhe asnjë kundër projekt deklaratën e PDIU-së për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë.
Lidhur me këtë ka folur në një intervistë në “Tirana Live” në ABC News, deputeti i PS Xhemal Qefalia, i cili ka thënë se marrëdhëniet mes dy qeverive tashmë janë të shkëlqyera, pasi gjërat kanë evoluar.
Ai ka theksuar se uron që dhe parlamenti grek të ndërhyjë dhe të bëjë të njëjtën gjë si parlamenti shqiptar.
“Është një vendimmarrje e përbashkët, pasi 96 vota dhe asnjë kundër, do të thotë që votuan bashkë të majtë dhe të djathtë. Gjërat kanë evoluar dhe duke parë në ditët e sotme dhe Shqipëria dhe Greqia janë vende anëtare të NATO.
Ne shpresojmë që dhe parlamenti grek të ndërhyjë pranë organeve përkatëse më qëllim që ky ligj i luftës të mos të ekzistojë si 84 vjet më parë.
Unë mendoj që do ketë një reflektim pozitiv, pasi marrëdhëniet mes dy qeverive janë të shkëlqyera, pavarësisht incidenteve apo problematikave që me të drejtë citoni dhe ju, por ajo ç’ka është kryesorja do të ketë një vullnet pozitiv dhe nga pala greke, e cila do të bëjë çdo gjë për ta hequr këtë ligj të hershëm siç bëri parlamenti shqiptar.
Të pretendosh që një ligj i tillë e ka zanafillën 84 vjet më parë, ndërkohë që marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe është e padrejtë që të vazhdojë”, tha deputeti./abcnews.al