TIRANË- Zëvendësministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, i ftuar në emisionin “News Line” në ABC News, foli për protestat e zhvilluara ditët e fundit, procesin e integrimit evropian dhe shqetësimet që lidhen me ndikimin e mundshëm në turizëm.
Qefalia u shpreh se e drejta e protestës dhe liria e fjalës janë të garantuara në një shtet demokratik, ndërsa theksoi se protestat nuk ndikojnë në rrugën që Shqipëria po ndjek drejt Bashkimit Evropian.
Duke folur për sulmet ndaj bizneseve dhe sipërmarrjeve, zëvendësministri tha se nëse një gjë e tillë do të provohej se sulmi është i koordinuara, do të ishte shqetësuese për imazhin e vendit dhe sektorin e turizmit.
Më tej, Qefalia theksoi se Shqipëria ndodhet në një garë me vendet e rajonit për të tërhequr sa më shumë turistë, duke përmendur edhe zhvillimin e infrastrukturës ajrore.
Sipas zëvendësministrit, u takon organeve shtetërore që të përcaktojnë nëse ka pasur sulme të organizuara dhe të koordinuara. Ai shtoi se protesta nisi fillimisht si një shqetësim për mbrojtjen e mjedisit në Zvërnec, por sipas tij, në të janë përfshirë edhe elementë që synojnë përfitime politike.
“E drejta e protestës dhe liria e fjalës janë të garantuara në një shtet demokratik. Është më se normale që në një vend demokratik të ketë protesta dhe të ketë mospajtime. Protestat kanë nisur prej më shumë se 40 ditësh, por ato nuk ndikojnë aspak në rrugën që po ndjek Shqipëria drejt Bashkimit Evropian. Nëse do të rezultojë se ka pasur një sulm të organizuar nga persona që kanë abuzuar për të ulur imazhin e një resorti apo të një sipërmarrjeje, kjo është shqetësuese, pasi ndikon edhe te turizmi.
Shqipëria tashmë është një vend atraktiv dhe të huajt vijnë për të pushuar. Ata informohen edhe përmes vlerësimeve (reviews), por kjo mbetet për t’u hetuar në mënyrë të plotë”, theksoi ai. Ka vende që ia duan të mirën Shqipërisë, por ka edhe vende të tjera, të cilave nuk u intereson zhvillimi i saj.
Ekziston edhe një garë me vendet e rajonit për të tërhequr sa më shumë turistë. Aeroporti i Rinasit është shndërruar në një qendër të rëndësishme, duke lënë pas edhe aeroportet e vendeve të rajonit. Janë organet shtetërore ato që do të përcaktojnë nëse ka pasur sulme të organizuara dhe të koordinuara. Protesta nisi si një pakënaqësi për mbrojtjen e mjedisit në Zvërnec. Në protestë ka elementë që duan të përfitojnë politikisht.”, tha ndër të tjera, zv.ministri i Brendshëm/abcnews.al



