Liderët e shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) u pajtuan të enjten t’ia japin Ukrainës 50 miliardë dollarë hua duke i përdorur asetet e ngrira ruse.
Diplomatët konfirmuan se pajtueshmëria për këtë marrëveshje u arrit madje para se liderët të mbërrinin në Itali për samitin treditor të G7-ës.
Hollësitë e marrëveshjes do të diskutohen gjatë takimit të tyre në Itali, por Kievi pritet t’i marrë paratë kah fundi i këtij viti.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të jetë në Itali gjithashtu dhe pritet të nënshkruajë një marrëveshje tjetër dypalëshe për sigurinë me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Vendet e G7-ës, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara, ngrinë asete ruse në vlerë prej rreth 300 miliardë dollarësh, pak pasi Moska nisi pushtimin e fqinjit të saj në shkurt të vitit 2022.
Në fillim të kësaj jave, Zelensky tha se pret që t’i sigurojë miliarda euro nga vendet aleate për mbrojtjen e Ukrainës dhe për rindërtimin e vendit të vet pas luftës.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /REL