Kosova më 12 qershor, shënon 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit. Trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër ushtarake e policore serbe.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën solemne në Kuvendin e Republikës së Kosovës, tha se Kosova e meriton anëtarësimin në organizatën ushtarake të NATO-s, 25 vjet pas çlirimit me ndihmën e NATO-s.
Në fjalimin e saj tha se çlirimi i Kosovës në vitin 1999 s’ishte thjesht fitore ushtarake e NATO-s dhe kapitullim i Serbisë, por edhe triumf i shpirtit njerëzor mbi tiraninë dhe i të mirës mbi të keqen.
Ajo shtoi se pjesëtarët e NATO-s nuk ishin thjesht ushtarë kur hynë në Kosovë, por shpëtimtarë.
“Ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk kishte harruar për popullin e Kosovës dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë. Hyrja e NATO-s në qershor të 1999-s ishte fuqi e solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit universal të një populli për të qenë i lirë. Liria është më shumë se sa fjalë. Është thelbi i qenies sonë. Ajri që e thithim, ëndrra që guxojmë ta ëndërrojmë. E ardhmja që aspiruam dhe për të cilën luftuan e dhanë jetën çlirimtarët tanë”, ka thënë ajo në fjalimin në Kuvend.
Në këtë seancë po marrin pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, Rifat Jashari, ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç, ish-Presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey, Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla, ish-sekretari i NATO-s, Lordi George Robertson dhe William Walker, i cili gjatë luftës përfaqësoi misionin e OSBE-së.
/abcnews.al/