“Skema e Berishës nuk është sulmuese, ka mbledhur njerëzit e tij besnikë”, Elezi: Programi i Bashës shumë i vështirë për t’u realizuar

schedule13:57 - 3 Qershor, 2024

schedule 13:57 - 3 Qershor, 2024

Ish-kreu i Partisë Demokratike në Kukës, Ibsen Elezi ka thënë se opozita po shkon drejt një humbje të sigurt. Ai ka deklaruar në një lidhje me Skype për “Tirana Live” se skema e Sali Berishës nuk është sulmuese, por ai po mbrohet, pasi ka mbledhur në kupolën e PD vetëm njerëzit e tij besnikë.

“Kjo që po shkon opozita drejt një humbje të sigurt, duket që nga mënyra se si po veprojnë partitë e mëdha. Po të shohësh Rithemelimin që është pjesa më e madhe e opozitës, për shkak të rezultateve, zoti Berisha ka ndërtuar një skemë, marrjen dhe mbushjen e kupolës së PD me njerëzit besnikë të tij. Kur njeriu merr njerëzit besnik të tij, ka ndërtuar një skemë mbrojtëse dhe nuk mund të jetë sulmuese. Edhe nëse do të ishte një opozitë e bashkuar kjo, se këta e kanë provuar të jenë të tillë dhe prapë do të humbasin. Nuk është se në këtë opozitë ka ndonjë risi apo besueshmëri për të fituar zgjedhjet e ardhshme”.

Sa i përket programit elektoral të Lulzim Bashës, Elezi e ka cilësuar si jo të besueshëm, pasi ato që thuhen në fushata nuk mbahen. Ai ka theksuar se janë shumë çështje të vështira për t’u realizuar si për shembull heqja e vizave me SHBA.

“Nuk besoj që opozita ka vuajtur ndonjëherë për konceptimin e ndonjë programi elektoral në teori, ka vuajtur te besueshmëria. Edhe po të shohësh pozitën e sotme në momentin që ishte në opozitë u deklarua për shumë premtime elektorale që nuk arriti t’i mbajë, jo vetëm kjo, por dhe shumë elemente të tjerë. Ndodh që ato që thuhen në fushata elektorale, nuk mbahen. Kështu që te zoti Basha unë mund të gjejë shumë elementë që unë i përkrahë, si taksa e sheshtë dhe shumë komponentë e tjerë si heqja e vizave me SHBA, nuk është në dorë të Bashës por në dorë të SHBA por edhe çështje e 20 mijë eurove për fëmijën e tretë është shumë e vështirë për t’u realizuar”./abcnews.al