Manchester United është i interesuar për shërbimet e Joshua Zirkzee. Sulmuesi holandez përjetoi një sezon fantastik me Bolognan në Serie A dhe tashmë ndiqet nga shumë klube të mëdha europiane. “Djajtë e Kuq” kërkojnë t’i shtojnë organikës një tjetër golashënues, pasi firmosën edhe me Rasmus Hojlund në vitin e kaluar.
“Gazzetta dello Sport” raporton se 23-vjecari ka një klauzolë shitjeje prej 34 milionë paundësh nga 1 korriku deri më 15 gusht. Në këtë mënyrë, gjigantët anglezë mund të përfitojnë nga kjo situatë e favorshme dhe të afrojnë në ekipin e tyre Zirkzeen.
Në sezonin historik të Bolognas që kulmoi me kualfikimin në Champions League, Zirkzee ishte njëri prej protagonistëve kryesorë. Sulmuesi shënoi 11 gola dhe dhuroi 5 asiste dhe tregoi një larmi të madhe golash që i ka në repertorin e tij, qoftë me finalizime të sakta brenda zonës, por edhe me veprime individuale që habitën publikun.
Aksionerët e rinj të INEOS pranë Manchester United do të udhëheqin merkaton e parë të 20-herë kampionëve të Anglisë dhe si rrjedhojë do të kërkojnë që të lëshojnë një sinjal të qartë me transferime serioze dhe të rëndësishme për repartet problematike të skuadrës. Të tjera emra të preferuar për repartin e sulmit janë dhe Benjamin Sesko, Victor Gyokeres dhe Jonathan David./ h.ll/abcnews.al