I mrekullueshëm në kampionat, por i padukshëm kur situatat bëhen serioze, si përshembull finalet. Statistikat e Erling Haaland, “yllit” të Manchester City, janë kthyer në një çështje, jo vetëm për të gjithë ata që studiojnë numrat në futboll, por edhe për tifozët.
Sulmuesi norvegjez zhgënjeu edhe në finalen e fundit, që “Qytetarët” e humbën kundër rivalëve të përjetshëm të Manchester United, teksa thelloi statistikën negative që e shoqëron me kampionët në fuqi të Premier League.
Në gjashtë finale të luajtura me Manchester City, 23 vjeçari nuk ka shënuar asnjë gol dhe nëse i shtojmë edhe gjysmëfinalet, atëherë zhgënjimi bëhet më i madh, me nëntë sfida pa prekur rrjetën. Shifra këto në kontrast të fortë me ato që Erling Haland ka shënuar në Premier League.
Në 66 ndeshje të luajtura në dy sezone, ai ka shënuar 63 gola, duke fituar radhazi “Këpucën e Artë” të kampionatit anglez. Në lidhje me këtë rekord negativ të sulmuesit është pyetur edhe Pep Guardiola, mirëpo tekniku duket se nuk është i shqetësuar aspak, duke vazhduar të besojë te klasi i Erling Haaland. /i.m /abcnews.al