Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me operacionin e SPAK të zhvilluar më 17 maj dhe 18 maj në rang vendi, ku u lëshuan 50 masa sigurie dhe u goditën 7 grupe kriminale.
Policia mohon të ketë pasur dekonspirim të këtij megaoperacioni me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Duke iu referuar të dhënave të TIMS policia sqaron se nga verifikimet rezulton se 13 persona për të cilët është kërkuar arrestimi, janë larguar jashtë vendit para zhvillimit të operacionit. Ndërsa për 6 të tjerë për të cilët u kërkua arrestimi, rezultojnë të jenë jashtë vendit, pasi më herë janë shpallur në kërkim për vepra të tjera penale të kryera më parë.
Nga ana tjetër verifikimet në sistemin TIMS, sipas policisë, kanë zbuluar se 11 persona të tjerë, mes tyre dhe 2 punonjësit e policisë të përfshirë në grupe kriminale, rezultojnë të jenë në Shqipëri, por megjithatë nuk janë mundur që të kapen gjatë aksionit. Gjatë operacionit dy ditor të policisë, RENEA dhe forcave shqiponja u vunë në pranga 8 anëtarë të bandave të njohura kriminale, ndërsa për 6 të përfshirë dhe që ndodhen në burg, u ekzekutuan vendimet e Gjykatës duke u njohur me akuzat, përkatëse në qeli.
Ndërkohë jashtë vendit tonë në pranga ranë 6 të shpallur në kërkim, në bashkëpunim me partnerët italianë, spanjollë, belgë dhe gjermanë.
Në total nga 50 urdhër arreste u ekzekutuan 20 masa sigurie, ndërsa 30 të tjerë vijojnë të jenë ende në kërkim.
Për zbatimin e këtij plani operacional sipas policisë janë angazhuar mbi 300 efektivë të forcave elitare, ndërsa theksohet se ka bashkëpunim të plotë me SPAK, me GJKKO-në dhe me prokuroritë e vendit.