Gjatë gjithë ditës së sotme priten reshje shumë intensive në pothuajse të gjithë territorin. Intensiteti i reshjeve do të vijë duke u rritur gjatë fundit të ditës së sotme dhe ditën e nesërme. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata.
Reshjet kanë vazhduar me intensitet të lartë gjatë gjithë ditës së djeshme të cilat kanë vazhduar edhe gjatë natës. Raportohet se në disa qytete ka probleme me përmbytjet në rrugë. Insituti i Gjeoshkencave ka njoftuar se zona më problematike do të jetë zona e Shkodrës.
“Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se përgjatë fundit të ditës së sotme për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve, rritet rreziku për përmbytje vërshuese në të gjithë vendin. Për arsye të RRITJES SË RREZIKUT NGA PËRMBYTJET VËRSHUESE janë vendosur shenjat për përmbytje të mundëshme nga lumenjtë e vegjël ose zonave urbane për të GJITHA QARQET e vendit.
Për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve rekomandohet të merren masa paraprake dhe PARALAJMËRIM në zonat që kanë probleme në rastet e reshjeve shumë intensive.
Për shkak të intensitetit të reshjeve janë vendosur edhe shenjat e rrëshqitjes së tokës në të gjithë territorin. Probleme mund të shfaqen me bllokimin e akseve rrugore si pasojë e ujit dhe dherave në rrugë. Në basenin Drin-Buna dhe Liqenin e Shkodrës do të RRITEN PRURJET DHE NIVELET në pjesët e larta malore dhe ato fushore, ZONA E NËNSHKODRËS. Për arsye të rrezikut nga përmbytja është vendosur shenja e paralajmërimit nga përmbytja për qarkun e Shkodrës. Nivelet më të larta në lumin Buna do të jenë NË FUNDJAVË. Në pjesën tjetër të territorit do të ketë shtim të prurjeve DHE RREZIKUT kryesisht në degët e lumenjeve kryesorë përgjatë ditës së nesërme.
Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve të ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve.
TEMPERATURAT
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 16 / 19 °C
në vendet e ulëta: 16 / 17 °C
në vendet malore: 11 / 14 °C
ERA
Era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare, por e fortë në bregdet. Në mbasdite ajo do të dobësohet gradualisht”./abcnews.al