Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) u ka drejtuar një njoftim zyrtar institucioneve publike, bizneseve, organizatave dhe administratorëve të sistemeve mbi zbulimin e dy cenueshmërive kritike në gjuhën e programimit PHP, një nga teknologjitë kryesore të përdorura për funksionimin e faqeve dhe aplikacioneve web.
Sipas sqarimit teknik të autoriteteve, shfrytëzimi i mundshëm i këtyre dobësive lejon ekzekutimin e paautorizuar të kodit në distancë, duke vënë në rrezik të drejtpërdrejtë sigurinë e sistemeve digjitale dhe të dhënave konfidenciale.
Dobësitë e sigurisë lidhen drejtpërdrejt me mënyrën se si PHP menaxhon memorien dhe gjendjen e saj të brendshme gjatë procesit të trajtimit të kërkesave nga përdoruesit.
Sa i përket shkallës së rrezikshmërisë, ekspertët e kibernetikës i kanë vendosur ato në kategorinë më të lartë.
AKSK rekomandon që administratorët e rrjeteve dhe sistemeve të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për verifikimin e versioneve në përdorim dhe instalimin e versioneve të korrigjuara.


