Kjo grafi i përket një dhjetë vjeçari. Fëmijët që kanë nevojë për aparate ortodontike në vendin tonë sipas stomatologëve janë shtuar.
” Ushqimi ndikon tek aktivizimi i nofullave, nëqoftëse ti nuk përtyp përshembull, një karrotë vetë, mollën vetë, po ta marrësh mollën të fruluar, gjëllën të fruluar, të zbutur është problemi që duhet të vënë pastaj aparat ortodontik, dalin dhëmbët të shtrëmbër, pak të deformuar.”
Rreth një në katër fëmijë në Shqipëri kanë probleme me dhëmbët. Higjena e ulët, por dhe ushqimet e pëlqyera kanë bërë që dëmtimet tju nisin herët. Ndërsa për vizitat tek dentisti shpesh prindërit kujtohen kur shqetësimet tek fëmijët kanë filluar.
Shqetësimi më i shpeshtë sipas drejtuesit të Klinikës Stomatologjike Universitare në Tiranë është kariesi dentar. E kjo kryesisht tek moshat nga 1 deri në 9 vjeç.
“Problemet që hasim më shumë tek fëmijët janë nga higjena e munguar deri tek karies, prishjet e dhëmbëve. Me kalimin e moshës janë dhe problemet dentofaciale që I quajnë stomatologët, shtrëmbrimi i dhëmbëve deformimi i dhëmbëve, etj. Padiskutim duhet pak më shumë vëmendje nga prindërit që këto problematika të vijnë duke u reduktuar
Nëse ne nuk i parandalojmë problemet tek dhëmbët e qumështit arrijmë deri tek deformimi i dhëmbëve të përshershëm.”
Probleme që nisin në fëmijëri e trashëgohen gjatë gjithë jetës. Në raportin e saj të fundit Organizata Botërore e Shëndetësisë theksonte se rreth 33.7% e personave mbi 60 vjeç në Shqipëri i kishin humbur dhëmbët e tyre.