Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj nëntë personave të lidhur me Udhëheqësin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, midis tyre shefi i shtabit, një nga djemtë e tij dhe kreu i gjyqësorit të Iranit.
Departamenti i Thesarit i SHBA-së tha përmes një deklarate të 4 nëntorit se Uashingtoni gjithashtu sanksionoi Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit.
“Sot Departamenti i Thesarit po shënjestron zyrtarët që rrethojnë Liderin suprem të Iranit, Ayatollah Khamenei dhe zbatojnë politikat e tij destabilizuese”, tha pëmes një deklarate, sekretari amerikan i Thesarit, Steven Mnuchin.
“Këta individë janë të lidhur me një gamë të gjerë sjelljesh malinje, duke përfshirë edhe bombardimet e kazermave detare të SHBA-së në Beirut më 1983, pastaj sulmin ndaj Shoqatës së përbashkët izraelito-argjentinase më 1994. Ata janë të lidhur edhe me disa raste të torturave, vrasjeve jashtëgjyqësore dhe shtypjen e civilëve”, tha Mnuchin.
Njoftimi u bë në ditën kur shënohet dyzet vjetori i sulmit në ambasadën amerikane në Teheran. Më 4 nëntor, 1979, disa studentë iranianë – ndjekës të Ajatollah Ruhollah Khomeinit – kanë sulmuar ambasadën amerikane në Teheran dhe kanë marrë pengje dhjetëra amerikanë.
Pesëdhjetedy amerikanët janë mbajtur peng për 444 ditë.
Më 4 nëntor, Irani tha se ishte duke dyfishuar numrin e centrifugave të përparuara për pasurimin e uraniumit, duke zvogëluar më tej kohën, kur ekspertët vlerësojnë se Teherani mund të posedojë materiale të mjaftueshme për të ndërtuar një armë bërthamore. /REL