Kolegji i Posaçëm i Apelimit shtyn seancën e vettingut për Prokurorin Besnik Muçi, i cili është betuar në Presidencë si anëtar i ri Gjykatës Kushtetuese. KPA nuk i pranoi provat e Prokurorit Muçi me argumentin se nuk janë konform ligjit, pasi nuk kishin vulë apostile.
Vazhdon të zvarritet në Kolegji i Posaçëm i Apelimit procesi i vettingut për prokurorin Besnik Muçi, i cili është betuar në Presidencë si anëtar i ri Gjykatës Kushtetuese.
Trupa gjykuese e KPA nuk ka pranuar provat e Muçit pasi nuk ishin konform ligjit, pasi duhet të jenë me vule apustile ose poste diplomatike.
Prokurori do t’i depozitojë sërish provat në seancën e ardhme më 7 nëntor. Kolegji i Posaçëm i Apelimit deklasifikoi më herët një dokument sekret të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, ku thuhej se prokurori Besnik Muçi ka kontakte të papërshtatshme me dy persona të proceduar penalisht. Sipas dokumentit, prokurori Muçi i ka një borxh prej 21.000 eurosh një personi të dënuar për mos kallëzim krimi, nga i cili ka blerë shtëpinë. Ndërsa nga një tjetër i dënuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe kundërshtim të forcave të policisë ka blerë një makinë.
Prokurori Muçi ka deklaruar në seancën e sotme se në vitet 2002-2006 kur ai ka qenë prokuror në Tiranë nuk ka trajtuar asnjë procedim për shtetasin A. L dhe për këtë arsye nuk ka asnjë konflikt interesi me të. Prokurori ka pohuar se e ka mësuar se ai ka qenë me procedim penal pas sjelljes së raportit të DSIK. Sipas Muçit, shtetasin A. L është një nga taksapaguesit me të mëdhenj të Bashkisë Tiranë dhe një nga punëdhënësit më të mëdhenj.
Prokurori Muçi ka kërkuar që të merren si provë bilancet financiare të dy huadhënësve të tij për të provuar të ardhurat në burime të ligjshme. Gjithashtu Prokurori kërkoi që Komisioneri Publik të sqaronte cila është lidhja e informacionit për dy huadhënësit e tij me procesin, gjithashtu u shpreh se nuk ka bazë pretendimi i Komisionerit se këto rrethana e bënin atë të shantazhueshëm dhe ndikueshëm. Komisionieri Publik ankimoi vendimin e shkallës së parë të vettingut për Prokurorin Muçi me arsyetimin se nuk kishte burime të ligjshme për te justifikuar krijimin e pasurisë. /abcnews.al