Ushtria e Ukrainës njoftoi të hënën se ka rrëzuar 17 dronë dhe një raketë ruse të telekomanduar të Rusisë që u përdorën në sulmet gjatë natës që kishin si objektiv një sërë rajonesh ukrainase.
Forcat e mbrojtjes ajore të Ukrainës thanë se në total Rusia lëshoi 24 dronë. Të 17 dronët që u interceptuan u shkatërruarn mbi rajonet Odesa, Mykolaiv, Kirovohrad, Khmelnytskyi dhe Zhytomyr, njoftuan autoritetet.
Oleh Kiper, guvernatori i Odesës tha se 4 dronë u shkatërruan në jug të rajonit, por sulmi kishte dëmtuar instraftrukturën e transportit dhe një pikë karburanti.
Sulmi më i fundit nga Rusia u krye disa orë pasi Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy vuri në dukje nevojën që aleatët të gjejnë vullnetin e përbashkët politik dhe të furnizojnë Ukrainën me sisteme të mbrojtjes ajrore.
“Është mjaft e qartë se aftësitë e mbrojtjes ajrore që ka në dispozicion Ukraina nuk janë të mjaftueshme dhe kjo është e qartë edhe për partnerët tanë”, tha Presidenti Zelenskyy në fjalimin e tij mbrëmjen e së dielës.
“Bota më në fund duhet të dëgjojë dhimbjen që terroristët rusë po shkaktojnë në Kharkiv, në Kupiansk, në Donetsk, Zaporizhzhia, rajonet Sumy dhe shumë komunitete të tjera ukrainase”, theksoi ai.
Kevi hodhi poshtë akuzat e Rusisë se ishte përgjegjëse për sulmin ndaj centralit bërthamor të Zaporizhias që kontrollohet nga rusët.
Centrali kontrollohet nga Rusia. Si pasojë e goditjes mbetën të plagosur tre persona.
“Ukraina nuk është e përfshirë në asnjë lloj provokimi të armatosur në territorin e centralit bërthamor të Zaporizhias që është pushtuar në mënyrë të paligjshme nga Rusia”, tha zëdhënësi i Drejtorisë kryesore të Zbulimit, HUR të Ukrainës, Andriy Yusov.
“Sulmet ruse, duke përfshirë ato imituese, në territorin e centralit bërthamor të Ukrainës … kanë qenë prej kohësh një praktikë e njohur kriminale e pushtuesve”, shkroi ai në rrjetin Telegram.
Rusia akuzoi Ukrainën për sulme me dronë në reaktorët në Centralin e Zaporizhias, ku sipas autoriteteve ruse mbetën të plagosur tre persona.
IAEA paralajmëron për rrezikon nga sulmet në centralin bërthamor
Shefi i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për energjinë bërthamore, dënoi të dielën një sulm me dronë në një nga gjashtë reaktorët në Centralin e Zaporizhias të kontrolluar nga Rusia, duke thënë se sulme të tilla “rrisin ndjeshëm rrezikun e një aksidenti të madh bërthamor”.
Në një deklaratë në platformën e mediave sociale X, Rafael Mariano Grossi konfirmoi të paktën tri goditje të drejtpërdrejta. “Kjo nuk duhet të ndodhë”, tha ai.
Rusia fajësoi Ukrainën për sulmin, por Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë bërthamore nuk fajësoi asnjërën palë.
Zoti Grossi tha se ky ishte sulmi i parë i tillë që nga nëntori i vitit 2022, kur ai përcaktoi pesë parime bazë për të shmangur një aksident të rëndë bërthamor me pasoja radiologjike.
Zyrtarët e centralit thanë se vendi u sulmua të dielën nga dronët ushtarakë ukrainas. Sipas tyre, nuk pati dëme të rënda apo viktima dhe nivelet e rrezatimit në central ishin normale pas goditjeve. Më vonë të dielën, megjithatë, agjencia shtetërore bërthamore ruse, Rosatom, tha se tre persona u plagosën në një “seri të pashembullt të sulmeve me dronë”, veçanërisht kur një dron goditi një zonë afër mensës së centralit.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore konfirmoi në një deklaratë dëmet fizike nga sulmet me dronë në central, duke përfshirë një nga gjashtë reaktorët e tij.
“Dëmtimi në njësinë 6 nuk ka komprometuar sigurinë bërthamore, por ky është një incident serioz me potencial për të dëmtuar integritetin e sistemit të kontrollit të reaktorit”, thuhet në deklaratën e agjencisë.
Centrali është gjetur nën sulme që kur Moska dërgoi trupat e saj në Ukrainë në vitin 2022 dhe pushtoi objektin menjëherë pas agresionit. Agjencia e OKB-së ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për centralin bërthamor, më i madhi në Evropë, mes frikës për një katastrofë të mundshme bërthamore. Si Ukraina ashtu edhe Rusia kanë akuzuar rregullisht njëra tjetrën për sulme ndaj centralit që është ende afër vijës së frontit.
Gjashtë reaktorët e termocentralit janë mbyllur prej muajsh, por ai ende ka nevojë për energji dhe personel të kualifikuar për të operuar sistemet thelbësore të ftohjes dhe funksionet e tjera të sigurisë. /VOA