Primaret në SHBA/ Votat e partive i numëron një komision jo politik

schedule15:36 - 26 Mars, 2024

schedule 15:36 - 26 Mars, 2024

Patric dhe Adanet, janë dy demokratë që po përballen me njëri-tjetrin se kush do të jetë kandidati zyrtar i partisë së tyre për në Dhomën e Përfaqësuesve në Ohio.

Kanë ngelur edhe dy ditë nga zgjedhjet nga të cilat, vetëm njëri do të fitojë.

Ata kanë dalë në qytet të kërkojnë vota duke trokitur nëpër shtëpi.

Një fushatë e thjeshtë.

Patric shoqërohet vetëm nga gruaja. Të dy, nisin ecjen në lagje duke pasur në duar vetëm fletëpalosje.

Patric thotë për ABC News se si po i përdor pak paratë që i lejohen përfushatë.

“Po i shpenzoj paratë e mia për të siguruar një kontakt të drejtpërdrejtë me votuesit. Kam zgjedhur të përdor email-in apo forma të tjera direkte. Kam  kontaktuar me kompaninë time për të më gjetur zgjidhje të tjera. Unë personalisht ndjej një interes të madh dhe më pas do të bëj një ndryshim shumë të madh.”

Adanet shoqërohet vetëm nga motra e saj teksa bisedon me banorët e kësaj lagjeje në Columbus.

Sot është e martë, dhe në shtetin e Ohio po votohet.

Proçesi njihet si primaret dhe në të përcaktohet kush do të të jenë kandidatët zyrtarë të partive që do të përballen në 5 nëntor për President të SHBA-ve, por edhe për anëtarë të Kongresit.

Kështu, se kush kandidon, nuk e cakton as kryetari i partisë as vetë partia.

E vendosin qytetarët.

Kur votuesi vjen në qendër, ai duhet të zgjedhë. Ose do të marrë një fletë votimi me listën e demokratëve, ose një me listën e republikanëve, duke zgjedhur vetë se në primaret e cilës parti do të kontribuojë.

Edhe pse një pjesë e rivalëve të Biden apo Trump janë tërhequr nga gara, emrat e tyre janë ende në fletë votimi.

Pra, praktikisht gara vazhdon edhe pse e vetmja betejë me përfundim të paparashikurshmëm është ajo mes Biden dhe Trump.

“Zgjedhjet paraprake janë tepër të rëndësishme edhe pse sigurisht, ju e dini, ekziston një projeksion se kush do të jenë dy kandidatët që përfaqësojnë demokratët dhe republikanët. Por mendoj se është prapë e rëndësishme të shkojmë të votojmë,  në mënyrë që kushdo, në çdo shtet të ushtrojnë të drejtën e tij të votës  dhe të vendosë se cilët kandidatë duhet të kualifikohen për të përfaqësuar Shtetet e Bashkuara.”, –thotë Smith, një studente e gazetarisë në Universitetin e Ohios. I tërë proçesi zgjedhor i primareve menaxhohet nga shteti me ligje të qarta duke bërë që gara brenda partive të jetë reale dhe e besueshme.

*Këto raportime u realizuan me ndihmën e Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Qendrës për Shtypin e Huaj në Departamentin e Shtetit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!