Agresioni rus, Sekretari amerikan i Mbrojtjes udhëheq takimin e aleatëve për ndihmën ushtarake për Kievin

schedule11:19 - 19 Mars, 2024

schedule 11:19 - 19 Mars, 2024

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, po udhëheq takimin e aleatëve të Ukrainës në bazën ajrore amerikane Ramstein në Gjermani më 19 mars, për të diskutuar për mënyrat se si të rritet mbështetja ushtarake për Kievin, përderisa paketa e ndihmës në vlerë prej 60 miliardë dollarësh vazhdon të jetë e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve për shkak të kundërshtimit të republikanëve.

Takimi mujor i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, i njohur edhe si Formati i Ramstein-it, përbëhet nga 50 shtete që mbështesin Ukrainën, po mbahet në kohën e rritjes së shqetësimeve se forcat ukrainase po mbesin pa municion dhe armë të rënda të avancuara, teksa ato po përballen me forcat ruse që po përparojnë në frontin lindor.

Austin po realizon vizitën e parë jashtë vendit që kur nisi të trajtohej për kancerin në prostatë. Pentagoni tha se gjatë takimit ai do të përsërisë qëndrimin se Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj Ukrainës.

“Sekretari Austin edhe një herë ka ftuar ministrat e Mbrojtjes dhe zyrtarët e lartë ushtarakë nga e mbarë bota për të diskutuar për krizën në Ukrainë dhe për çështje të tjera të sigurisë me të cilat përballen aleatët dhe partnerët e SHBA-së”, tha më herët për Radion Evropa e Lirë zyra për media e Forcave Ajrore amerikane në Evropë.

Përderisa paketa e ndihmës në vlerë prej 60 miliardë dollarësh vazhdon të jetë e bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve, SHBA-ja më 12 mars njoftoi për një paketë të ndihmës ushtarake për Ukrainën në vlerë prej 300 milionë dollarësh. Kjo shumë është marrë nga Pentagoni.

Ndihma ushtarake evropiane për Ukrainën është bërë kritike për trupat ukrainase që po përballen me superioritetin e armikut, si në numër të ushtarëve, por edhe në numrin e municioneve të artilerisë që shpenzojnë në baza ditore në fushëbetejë.

Një ditë më herët, Këshilli Evropian miratoi krijimin e Fondit për Ndihmë të Ukrainës dhe dedikoi 5 miliardë euro për të. Me këtë fond, sipas BE-së, do të vazhdohet mbështetja e Ukrainës “për të mbrojtur veten nga lufta e agresionit rus”, duke premtuar se ndihma për Kievin do të zgjasë për aq kohë sa të ketë nevojë.

Me këtë fond, BE-ja tha se do të blihen “pajisje vdekjeprurëse dhe jovdekjeprurëse ushtarake” dhe do të ofrohen trajnime. /REL