Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen pas më shumë se shtatë muajsh, por dueli i dytë mes Donald Trump dhe Joe Biden tashmë ka nisur, por pa shkaktuar shumë emocione te votuesit kryesisht për shkak të moshës së dy kundërshtarëve.
Dueli i tyre parashikohet të jetë i gjatë dhe i ashpër, me gjendjen fizike dhe mendore të të dyve në vëmendjen e të gjithëve.
Duke qenë se të dy janë të moshuar, Biden është 81 vjeç dhe Trump është 77, kushdo që fiton zgjedhjet e 5 nëntorit do të jetë presidenti më i vjetër në historinë e SHBA.
Kjo perspektivë nuk i gëzon votuesit, sipas sondazheve. Hera e fundit që fushata zgjedhore amerikane zgjati kaq gjatë ishte në vitin 2000, kur 243 ditë para zgjedhjeve u konfirmua dueli mes George W. Bush dhe Al Gore.
Fushata zgjedhore e 2024-ës do të zgjasë gjashtë ditë më pak se ajo e vitit 2000, por këtë herë votuesit do të ndjekin nga afër performancën e të dy kandidatëve.
“Mosha ka rëndësi: Biden duket më i vjetër në 2024 sesa në 2020 dhe ai po lufton fort për të kundërshtuar nocionin se nuk është më në kulmin e tij,” tha Mike Cullinani, profesor i historisë politike në Universitetin Dickinson.
Por edhe Trump nuk është shumë larg Biden, pasi edhe ai ka bërë gafa të ngjashme sit ë homologut të tij. Përveç kësaj, nuk mungojnë as aventurat ligjore të Trump, pasi ndaj tij janë në pritje katër procese gjyqësore.
Gjyqi i tij i parë, në rastin e pagesës së parave për një ish-yll porno, fillon më 25 mars në Nju Jork.
“Këto do të jenë padyshim një zgjedhje plot surpriza,” sipas profesorit të Komunikimit Politik, Joshua Darr.
“Biden dhe Trump duken të dobësuar”, shtoi ai.
Zgjedhjet presidenciale dhe Kongresi amerikan të vitit 2024 pritet të jenë më të shtrenjtat në historinë e vendit, me vlerësime që sugjerojnë se kostoja e tyre mund të kalojë 10 miliardë dollarë.
Biden këmbëngul se kundërshtari i tij është “i vendosur të shkatërrojë” demokracinë amerikane dhe paralajmëron se një mandat i dytë i Trump do të sjellë “kaos, mosmarrëveshje dhe errësirë” në SHBA.
Republikani tashmë është zotuar të lirojë, nëse zgjidhet, mbështetësit e burgosur për përfshirjen e tyre në sulmin ndaj Kapitolit në janar 2021.
Një propozim që deri më tani nuk duket se e ka dëmtuar popullaritetin e tij.
Por për të fituar, Trump do të duhet të tërheqë votuesit përtej bazës së tij dhe të bindë votuesit më të moderuar se ai nuk kandidon vetëm për të shmangur akuzat penale kundër tij.
/abcnews.al