Qeveria emëroi Vangjel Tavon prefekt të qarkut të Vlorës. Ish-ministri dhe ish-deputeti që ka përfaqësuar minoritetin grek, nuk ka pasur deri tani asnjë angazhim politik në këtë zonë.
Ai ka qenë deputet i Gjirokastrës, qark në të cilin ka lindur dhe ku ka ushtruar aktivitet politik dhe nga Dropulli ka shkuar përfaqësues në Kuvend.
Por pse pikërisht tani atij i besohet një detyrë në Vlorë? E vetmja lidhje logjike e Tavos me këtë qark, është komuniteti grek, sidomos ai i Himarës.
Burime të mirë informuara pranë qeverisë i thanë ABC News se dërgimi i Tavos si përfaqësues i qeverisë në këtë qark, lidhet me drejtimin e mëtejshëm të bashkisë Himarë. Informacionet e siguruara sugjerojnë se Jorgo Goro do të largohet nga drejtimi i Himarës, ndërsa fituesi opozitar, Fredi Beleri, i dënuar nga gjykata speciale për blerje votash, pret fjalën e fundit nga apeli.
Tavo duket si emri i duhur për të ulur tensionet që Himara ka ndezur mes Athinës dhe Tiranës.
Ai është i respektuar nga socialistët dhe me lidhje të rëndësishme me qeverinë greke.
Pak muaj më parë, media në Greqi ishte e para që hodhi në publik emrin e Tavos si drejtues i përkohshëm i Himarës. Vetë ish deputeti e mohoi, ndërsa qeveria shqiptare nuk bëri asnjë koment.
Por këtë të martë, i dha zë përmes firmës marrjes së Himarës nën kujdestarinë e Tavos. Ndër të tjera mësohet se nga nga detyra është liruar edhe prefektja e qarkut të Fierit Rajmonda Balilaj.
/abcnews.al/

