Një tjetër operacion ndërkombëtar për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve është zhvilluar nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Policinë italiane.
Operacioni policor i koduar “Transportuesi 2018” çoi në pranga 3 perosna.
Në pranga ra një shqiptar, i cili u arrestua në Durrës dhe dy shtetas italianë të cilët u arrestuan në Itali.
30 vjeçari shqiptar me iniciale E. M., lindur në Ersekë dhe banues në Durrës do të ekstradohet drejt Italisë.
Operacioni u zhvillua në të njëjtën orë si në Itali dhe në Shqipëri.
Njoftimi i Policisë
Në vijim të operacioneve të përbashkëta të zhvilluara mes Policisë së Shtetit dhe partnerëve, në orët e para të mëngjesit, si rezultat i bashkëpunimit mes ZQK Interpol Tirana, Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, autoriteteve policore italiane dhe misionit INTERFORZA, u zhvillua operacioni i përbashkët policor i koduar “Transportuesi 2018”.
Ky operacion pati si qëllim goditjen e një grupi të organizuar kriminal, që vepron në Itali, Shqipëri dhe vende të tjera, me aktivitet trafikimin e narkotikëve, kryesisht të llojit heroinë, kokainë dhe marijuanë, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Si rezultat i veprimeve policore të mirëkoordinuara mes palëve, u arrestuan në Itali dy shtetas italianë si dhe u krye arrestimi në Durrës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit shqiptar E. M., 30 vjeç, lindur në Ersekë dhe banues në Durrës.
Vazhdon kryerja e veprimeve hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme të këtij grupi të strukturuar kriminal.
Policia e Shtetit edhe këtë herë tregoi profesionalizëm dhe vendosmëri për të bashkëpunuar me partnerët në luftën pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit. /abcnews.al


