Flamurtari është zhytur në fund të tabelës së klasifikimit. Vlonjatët morën një pikë me Skënderbeun në shtëpi, por mbetet të fundit dhe për të dalë nga zona e ftohtë duket shumë e vështirë. Diferenca me skuadrën e vendit të tetë është 10 pikë dhe me shumë mundësi deri në mbylljen e gjysmës së parë të sezonit do të thellohet edhe më shumë.
Këtë fundjavë kuqezinjtë kanë në program një tjetër ndeshje të vështirë, me Kukësin pretendent për titull. Të dielën dy skuadrat përballen mes tyre në stadiumin “Roza Haxhiu” të qytetit të Lushnjës, prej orës 14:00.
Flamurtari për këtë ndeshje do të ketë të gatshëm dy prej titullarëve të mbrojtjes. Fjoralb Deliaj, i ndëshkuar me karton të kuq me Vllazninë rikthehet i gatshëm për vlonjatët. Gjithashtu edhe Olsi Gocaj e ka shlyer pezullimin prej kartonëve të verdhë dhe kështu trajneri Birçe do të ketë më shumë alternativa për sfidën me Kukësin. /abcnews.al