Tirana dhe Dinamo City ndanë pikët pas barazimit 1-1 në një sfidë, që kishte më kartonë të kuq se gola. Katër të tillë në fushë, nga një për secilën skuadër dhe dy të tjerë për stafin teknik dinamovit, përfshirë trajnerin Ilir Daja. Siç mund të merret me mend, polemikat ishin të mëdha në derbin, që vetëm emri i ka mbetur. Kjo pasi me të dyja skuadrat e kryeqytetit dhe historike të futbollit në vend janë pa stadium dhe sfidën mes tyre e luajtën në Durrës. Më shumë akoma në orën 13:30 në një ditë jave.
Sa për ndeshjen, ekuilibrat e saj në fushë ndryshuan në minutën e 27-të, me kartonin e kuq të Rifas. Futbollistit të ri, iu bashkua më pas edhe Ilir Daja e përgatitësi i tij atletik për shkak të polemikave me arbitrin Jorgji.
Tirana nuk arriti të shfrytëzojë epërsinë numerike në pjesën e parë, që u mbyll me rrjeta të paprekura.
Por e bëri këtë në fraksionin e dytë. Në minutën e 64-rt, Xhixha ndali topin në rrjetë për festën e bardhebluve.
Avantazhi i Tiranës zgjati deri në minutën e 78-të.
Dinamovitët gjetën forcën dhe barazuan me Hoxhallarin, i ndihmuar edhe nga devijimi i Ndong.
Tirana provoi të ndryshonte sërish fatin, por sfida do të mbyllej siç nisi, me një tjetër të kuq, këtë herë për Ndong të bardhebluve.
Në fund vetëm nga një pikë për dyja skuadrat, që nuk ia ndryshon pozitat në renditje. Me 16 pikë, Dinamo City mban vendin e tretë, ndërsa me 12 pikë, Tirana pozicionohet e katërta.


