Kyrian Nwabueze i ka bërë një nisje super kampionatit. Nëntë gola në 10 ndeshje dhe sulmuesi amerikan është vënë në ndjekje të rekordeve të vendosura në të shkuarën te Laçi. Vetëm një herë në historinë e bardhezinjve ka ndodhur që një lojtar i tyre të fitojë “Këpucën e Artë” në elitën e futbollit shqiptar.
Altin Çuko ishte ai që ia doli të shënonte më shumë se të gjithë në sezonin 1995-1996. Sulmuesi lushnjar realizonte 21 gola, pesë prej tyre me Tomorin në gjysmën e parë të sezonit dhe 16 të tjerë me Laçin në vazhdim. Kaq shumë në gjysmë sezoni askush nuk i ka realizuar me bardhezinjtë.
Nwabueze i ka të gjitha mundësitë të shënojë më shumë se të gjithë në Superiore dhe të fitojë “Këpucën e Artë”, madje edhe duke e kaluar shifrën 21 të golave. Nëse do e bënte diçka të tillë, do parakalonte edhe Reginaldon.
Sulmuesi nga Mozambiku, dy sezone më parë shënoi 18 gola, duke u bërë lojtari që ka shënuar më shumë gola në një kampionat me fanellën e Laçit. Kyrian e do titullin e golashënuesit dhe e ka shprehur diçka të tillë, por në çdo moment është munduar të tregohet i përmbajtur dhe të vërë rezultatet e skuadrës në plan të parë. /abcnews.al