“I nxorrëm nga makina e shtypur duke përdorur dritat e celularëve. Njoftuam disa herë policinë dhe autoambulancën por ata erdhën pas 50 minutash”.
Kjo është dëshmia e Klajdi Ndreçkës, një ndër personat që ndërynë të parët për të nxjerrë nga makina tre të rinjtë që u aksidentuan mbrëmë tek rrethrrotullimi i Kolonjës në aksin Fier-Lushnje.
Duke folur ekskluzivisht për gazetaren e “Abc News” Anila Sefa, Klajdi thekson se kur i kanë nxjerrë tre djemtë e aksidentuar, vetëm njëri prej tyre mund të fliste, ndërsa dy të tjerët ishin të pavetëjdijshëm.
“Vetëm njëri nga ata fliste, ishte me veshje të kuqe, kurse dy të tjerët jo. I nxorrëm i lamë aty deri sa të vinte autoambulanca sepse nuk donim edhe t’i dëmtonim”, shprehet ai duke theksuar se edhe kur erdhi autoambulanca, në makinë ishin vetëm shoferi dhe një infermiere.
Tre të rinjtë Alteo Shabani 18 vjeç, Jorges Shaban 21 vjeç dhe Alban Doksani 16 vjeç po udhëtonin në aksin Fier-Lushnje gjatë mbrëmjes së djeshme me një mjet “Daimler Crysler” teksa pësuan aksident tek rrethrrotullimi i Kolonjës.
Rëndohet bilanci i aksidentit të Lushnjes, ndërron jetë edhe kushëriri i Jorges Shabanit
Siç bën me dije policia, në aksident humbi jetën në vend Jorges Shabani, ndërsa gjatë mëngjësit të sotëm ka ndërruar jetë edhe Alteo Shabani.
“Në lidhje me aksidentin e mbrëmshëm, ku ndërroi jetë shtetasi J.Sh , 21 vjeç, ka ndërruar jetë edhe një prej të plagosurve, shtetasi A.Sh, 22 vjeç”- njofton policia.
Nderkohe qe shtetasi A.D, 16 vjeç, ndodhet në Spitalin e Traumës ne Tiranë nën kujdesin e mjekëve. /abcnews.al



