“Të përdorim asetet e ngrira ruse për ushtrinë e Ukrainës”, von der Leyen: BE duhet të shpenzojë më shumë për sigurinë europiane

schedule10:31 - 28 Shkurt, 2024

schedule 10:31 - 28 Shkurt, 2024

Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen foli për hapat që duhen ndërmarrë për sigurinë e BE-së në fjalimin e saj në Parlamentin Europian në Strasburg.

“Europa duhet të shpenzojë më shumë, të shpenzojë më mirë, të shpenzojë për sigurinë europiane,” theksoi ajo, duke shtuar se në javët e ardhshme Komisioni Europian do të paraqesë propozimet për strategjinë e parë europiane të industrisë së mbrojtjes.

Ursula von der Leyen nënvizoi se në mbrojtje, sipërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore dhe foli për një “levë inovacioni”.

Ajo theksoi se “duhet të jemi të përgatitur dhe se kjo fillon me nevojën urgjente për të rindërtuar, rimbushur dhe modernizuar forcat e armatosura të shteteve anëtare”.

“Në dy vitet e fundit, Europa ka treguar dhe dëshmuar se do të mbështesë Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Dhe ne kemi treguar dhe dëshmuar gjithashtu se një Europë më sovrane nuk është thjesht mendim i dëshiruar.

Sovraniteti europian do të forcojë partneritetet tona”, shtoi ajo, duke shprehur kënaqësinë e saj që Suedia së shpejti do të anëtarësohet në NATO.

Presidentja e Komisionit Europian njoftoi se në Kiev do të krijohej një zyrë për inovacionet e mbrojtjes, e cila do ta afronte “Ukrainën gjithnjë e më pranë Europës dhe do t’i lejonte të gjitha vendet anëtare të përfitojnë nga përvoja dhe njohuritë e Ukrainës”.

Ursula von der Leyen gjithashtu konsideroi në fjalimin e saj se është koha për të hapur një diskutim mbi përdorimin e aseteve të ngrira ruse për blerjen e përbashkët të pajisjeve ushtarake për Ukrainën.

“Nuk mund të ketë asnjë simbol më të fuqishëm sesa ta bëjmë Ukrainën dhe të gjithë Evropën një vend më të sigurt për të jetuar”, përfundoi ajo.

/abcnews.al