Ish-profesorja e Kolegjit të Mjekësisë në New York Albert Einstein, Ruth Gottesman, i ka dhuruar shkollës 1 miliard dollarë për bursa për të gjithë studentët, dhurata më e madhe e këtij lloji ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara.
Sipas kolegjit, ish-profesorja po bën donacionin falë pasurisë së bashkëshortit të saj David Gottesman, një financier i Wall Street, i cili vdiq në shtator 2022, raportoi Reuters.
Gottesman filloi të punojë në kolegj në vitin 1968, dhe gjatë karrierës së saj ajo hulumtoi aftësitë e kufizuara në të nxënë tek fëmijët dhe krijoi një program për arsimimin e të rriturve.
Falë donacionit të saj, të gjithë studentëve aktualë të kolegjit me kohë të plotë do t’u paguhet shkollimi për semestrin e pranverës të vitit 2024, ashtu si të gjithë studentët e ardhshëm. Shkollimi është rreth 60,000 dollarë në vit.
Kolegji, i cili ka rreth 1,100 studentë, ndodhet në Bronx.
“Doja të financoja studentët në ‘Einstein’ për të marrë shkollimin falas. Kisha para të mjaftueshme për ta bërë atë”, tha Gottesman për New York Times.
Ajo shtoi se ndonjëherë pyet veten se çfarë do të thoshte i shoqi për donacionin.
” Shpresoj që ai të jetë i buzëqeshur dhe të mos rrudh vetullat. Ai më dha mundësinë për ta bërë këtë, dhe mendoj se do të ishte i lumtur, shpresoj, “ tha ajo./abcnews.al