Prej 10 dhjetorit nuk njeh humbje dhe tashmë renditet në vendin e 11-të me 28 pikë , në tabelën e klasifikimit të kampionatit italian të futbollit, Serie A, duke qëndruar vetëm 6 pikë larg zonës së Kupave të Evropës. Bëhet fjalë për skuadrën e Genoa, me “Kuqeblutë”, të saporikthyer në elitë, që shpresojnë një vend mes më të mirëve e për këtë duhen përforcime të reja.
Për këtë arsye, bordi i “Kuqebluve” ka vendosur t’i “dhurojë” teknikut, Alberto Gilardino, një sulmues të ri në këtë merkato janari, i cili pritet të përshtatet jo pak me skemat e italianit. Objektivi kryesor është 23-vjeçari portugez i francezëve Marseille, Vitinha, me këtë të fundit që nuk po gjen hapësirën e duhur te “gjigantët” e Ligue 1.
Vitinha u transferua në Francë gjatë janarit të vitit 2023 për 32 milionë euro nga Braga, por deri më tani nuk ka arritur të shkëlqejë siç duhet dhe tanimë në në gjurmët e lojtarit është vendosur Genoa që po bën të pamundurën për ta transferuar gjatë kësaj merkatoje, me italianët që kanë propozuar idenë e huazimit të sulmuesit deri në verë.
Sipas raportimeve më të fundit të mediave italiane, një propozim i tillë ka marrë “dritën jeshile” nga bordi i Marseille, të cilët shpresojnë se ndryshimi i ambientit mund t’i shërbejë edhe portugezit për të gjetur versionin e tij më të mirë dhe në orët e fundit të merkatos së dimrit mbetet me interes për t’u parë nëse ky operacion do të mbyllet me sukses, apo Vitinha do të vijojë të qëndrojë në Marseille. /i.m /abcnews.al