Është vetëm nisja, por të gjithë e dimë shprehjen e urtë popullore. Fillimi i mirë gjysma e punës, kështu thuhet, dhe Roma e ka bërë këtë gjë, po ashtu si Interi, Milani, Juventusi, Atalanta e Lacio.
Janë këto 4 skuadrat që kryesojnë Serinë A me pikë të plota pas dy ndeshjeve, dhe e fundit që ia doli ishte pikërisht ekipi kryeqytetas. Të besuarit e trajnerit Xhampiero Gasperini triumfuan 4-0 në stadiumin “Via del Mare” të Leçes dhe heroi kryesor ishte sulmuesi Doniel Malen.
Holandezi po i ngjan “tulipanit” të dikurshëm të famshëm të Milanit, Marko Van Basten, dhe realizoi dy herë në Pulje. Në total, ai ka 5 gola në dy javë, dhe në të gjithë historinë e Serisë A, vetëm argjentinasi Pedro Manfredini është treguar më i zoti në dy javët e para, me 6 rrjeta.
Edhe ai ishte I Romës dhe këtë e bëri në 1960-1961. Sule dhe Mora ishin autorët e tjerë, ndërsa romanët patën epërsi dhe githçka e merituan falë lojës së tyre shumë të mirë.
Mbajtën topin 66 për qind, patën 15 gjuajtje ndaj 7 të vendasve dhe goditjet në portë ishin 7-2. Për fat të keq, për Leçen nuk luajti asnjë minutë mesfushori I Shqipërisë, Medon Berisha, që ishte në stol, ndërsa Ylber Ramadani është larguar që në verë.
Roma ka 6 pikë në dy ndeshje, dhe mban vendin e parë në Serinë A, me golaverazhin 8-0. Kryesorja është që me Gasperinin po jep spektakël, si askush tjetër si deri tani, dhe pas Atalantës po lind një tjetër “Dea”, një Perëndeshë e futbollit italian që di sesi fitohen titujt, pasi ia ka dalë tri herë më parë në 1943, 1983 e 2001.
Jo aq shumë, por gjithsesi e ka një histori, e për më tepër është skuadra e të vetmit vendbanim në botë që quhet “Qyteti i Përjetshëm”.

