Kyrian Nwabueze, sulmuesi kryesor i Laçit, shënoi dy herë në ndeshjen me Teutën. Pas ndeshjes, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport tha: “Nuk ka rëndësi ku luaj, unë gjithmonë jap më të mirën. Do mundohem deri në fund dhe e kam bërë edhe këtu deri tani”.
“E ardhmja? Çdo lojtar do të luajë në një kampionat më të fortë. Nëse luan mirë do të ndodhë dhe jam i sigurt për këtë”, shtoi sulmuesi i kurbinasve, që ka realizuar 7 gola dhe ndan kreun e golashënuesve me Shkurtajn e Kukësit.
Më tej flet edhe për fitoren me Teutën dhe nuk kërkon të marrë merita i vetëm: “Flasim për ekipin, jo për mua. Javët e shkuara na kanë karikuar për të dhënë më të mirën tonë. Ishim shumë të uritur dhe të gjithë dhamë maksimumin. Fituam dhe është diçka shumë e bukur”.
Në fund bëri një krahasim mes Superiores dhe kampionatit në Kosovë: “Nuk ka shumë diferenca me Kosovën, por këtu kampionati është më i fortë. Jam i lumtur që luaj këtu dhe po arrij të bëj mirë. Këtu është më fizik dhe më i vështirë kampionati”. /abcnews.al