Kryeministri Edi Rama ka ritheksuar se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkryera dhe se nuk kanë qenë asnjëherë në një nivel të tillë.
Në një komunikim me gazetarët, teksa është i pranishëm në Samitin rajonal në Shkup, Rama u shpreh se në takimin e zhvilluar me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit James O’Brien kanë folur për marrëdhëniet me Shqipërinë dhe gjithashtu për rajonin.
Më tej shtoi se roli i Shqipërisë për rajonin dhe është i qartë.
“Kemi folur për të dyja, edhe për Shqipërinë edhe për rajonin natyrisht, sepse për të dyja mund të flisnim dhe flasim gjithmonë dhe besoj që marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara nuk kanë qenë ndonjëherë më të mira, nuk kanë qenë ndonjëherë më të afërta, nuk kanë qenë ndonjëherë më produktive, ashtu si kundër besoj që dhe roli ynë në rajon nuk ka qenë ndonjëherë më i qartë sesa pikërisht në këtë moment kur është dhënë një tjetër shembull që të gjithë duhet të jenë në tryezë, të gjithë duhet të punojnë bashkë. Nuk është e nevojshme, do të ishte e dëshirueshme. Por nuk është e nevojshme që kur të ulesh në një tryezë me një grup njerëzish, mos të kesh asnjë problem me asnjërin, mund të kesh shumë gjëra me të cilat nuk je dakord dhe për të cilat përpiqesh dhe bën betejën tënde në instancat dhe hapësirat e duhura, por kur flitet për një gjë kaq të mirë, kaq pozitive, kaq shumë të nevojshme për të gjithë popujt tanë, për të gjitha vendet tona, atëherë tryeza është i vetmi vend ku trajtohen çështje që lidhen me rritjen ekonomike, që lidhen me rritjen e mirëqenies, që lidhen me përshpejtimin e të gjithë fazave që na bashkojnë përfundimisht me Bashkimin Europian.”, tha ai.abcnews.al/