Ibrahimaj në “Real Story”: Biznesi i vogël do të vijojë me zero tatim mbi fitimin, ja pse ulet pragu i TVSH-së
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka shpjeguar ndryshimet e parashikuara në paketën fiskale, duke u ndalur te tatimi mbi fitimin për biznesin e vogël dhe ulja e pragut të TVSH-së.
E ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Ibrahimaj deklaroi se biznesi i vogël do të vijojë të përfitojë nga zero tatim mbi fitimin, ndërsa theksoi se ulja e pragut të TVSH-së synon të nxisë formalizimin dhe të krijojë konkurrencë më të drejtë mes bizneseve.
Ministrja u ndal edhe te ndryshimet e normës së TVSH-së, duke sqaruar se reduktimi i saj për produktet ushqimore do të kompensohet pjesërisht nga rritja e normës për artikujt e tjerë të mallrave dhe shërbimeve në 21%.
Sa i përket tatimit mbi fitimin, ministrja theksoi se nuk ka pasur ndryshime, ndërsa bëri dallimin mes fitimit të kompanisë dhe dividendit që u takon pronarëve.
“Ne kemi bërë disa ndërhyrje me paketën fiskale të këtij viti, një ishte reduktimi i TVSH. Ne kemi rritur TVSH për të gjitha produktet e tjera duke e çuar normën e TVSH 21 %. Pjesën më të madhe të të ardhurave që ne kemi lejuar të mos mblidhen nga TVSH e ushqimit, do të vijë nga rritja me 1 % e tvsh për të gjithë artikujt të tjerë të mallrave dhe shërbimeve. Ne nuk kemi lëvizur tatimin mbi fitimin. Fitimi dhe dividentët janë dy koncepte të ndryshme. Dividenti është i pronarëve nuk është i kompanive… Një kompani që qarkullon 5 milionë e një lek nuk paguan tatim mbi fitimin… Ulja e pragut të tvsh shkon në drejtim të një konkurrence më të drejtë. Që kur rritëm pragun në 10 mln lekë kemi pasur debate të forta. Arsyeja përse ne vijojmë të mbajmë një prag është sepse bizneset që janë të vogla do ta kishin një kosto. Megjithatë në një kohë ku kemi zhvillime teknologjike, besoj se të gjitha këto duhet të deklarohen online”, tha ajo.
/abcnews.al/


