Nis sesioni i ri parlamentar. Disa ligje dhe nisma të rëndësishme pritet të kalojnë në axhenden e Kuvendit, përgjatë këtij sesioni.
Mes tyre veçohen amnistia penale, Avokati i Popullit, apo reforma zgjedhore. Por për miratimin e tyre kërkohen edhe vota nga opozita, e cila prej muajsh bllokon punimet e parlamentit.
Seanca e sotme, ndryshe nga më parë ndiqet në sallë edhe nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj si edhe ambasadorë të huaj të akredituar në vendin tonë.
Opozita duket se e vijoi aty ku e la dhe si e la sesionin e ri parlamentar. Rithemelimi ka bllokuar Foltoren, duke krijuar kaos në sallë, ndërsa u ra tavolinave si edhe ka aktivizuar në sallë zhurmues akustikë, por këtë herë në krye nuk do të jetë Sali Berisha i cili ndodhet në arrest shtëpie prej 30 dhjetorit 2023.
Deputetët e Rithemelimit, kanë bllokuar Foltoren e Kuvendit, duke mos lejuar Presidentin e Republikës të mbajë fjalën në seancë plenare.
BE kërkon nga palët të ulen në një parlament funksional për miratimin e reformave të rëndësishme. Sakaq kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha u pa të mbërrijë në Kuvend, i shoqëruar nga Enkelejd Alibeaj dhe Kreshnik Collaku.