Dialogu dhe zvarritjet e procesit Kosovë-Serbi/ Analisti: Drafti për asociacionin duhet të dërgohet në Kushtetuese

schedule16:28 - 15 Janar, 2024

schedule 16:28 - 15 Janar, 2024

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti Serb Aleksandër Vuçiç do të marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Por pavarësisht kësaj, Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano bëri me dije se nuk do të ketë takim mes Kurtit dhe Vuçiçit në forumin që do të mbahet në Zvicër.

Por sa mund të shfrytëzohet ky forum, që Kosova dhe Serbia të çojnë përpara zotimet që kanë marrë përsipër në lidhje me dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Analisti Melazim Koci, tha për “Ballkan Update” me gazetaren Linda Karadakun se palët duken se po lëvizin drejt jetësimin të çështjeve, të cilat kanë marrë përsipër.

Ai tha se Kosova duhet të veprojë pa humbur kohë, që draftin për asociacionin ta dërgojë në Kushtetuese, me qëllim që t’i shuajë të gjitha alibitë, që mund ta pasojë nga vonesa e procesit të dialogut.

“Në Davos do të ketë takime të ndara me Miroslav Lajçak. Nëse jo të avancohen për çështjet, atëherë duhet të bëhen lëvizje sado e vogël në drejtim të asaj që synon BE. Në njëra anë bëhen veprime në jetësimin minimal dhe gradual. Pjesa e targave, janë çështje teknike dhe kjo është faza e parë e zbatimit të marrëveshjes franko-gjermane. Palët janë duke jetësuar diçka nga marrëveshjet, por jo çështjet esenciale. Synojnë t’ia lënë në dorë përgjegjësinë Kosovës duke stopuar çështjet e asociacionit. Kosova ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, sepse janë katër faza të jetësimit të marrëveshjes, dhe Kosova e ka obligim që asociacionin ta jetësojë në fazën e fundit, pasi Serbia të ketë bërë njohjen de facto  dhe për jetësuar obligimet që ka marrë në marrëveshjet franko-gjermane”, tha ai.

Për analistin, Gjykata Kushtetuese pasi të bëjë pastrimet e saj në lidhje me draftin e propozuar nga BE, atëherë ratifikimi i saj me shumë gjasë mund të marrë pëlqim edhe nga opozita e Kosovë, e cila vazhdimisht e ka kritikuar qeverinë Kurti për pozicion të dobët karshi Serbisë.

“Nëse vjen në votimin në parlament, unë besoj se opozita do ta votojë, sepse do kemi një asociacioni të pastruar”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!