Takimi i liderëve: Zgjedhjet e parakohshme më 12 Prill 2020

schedule20:46 - 20 Tetor, 2019

schedule 20:46 - 20 Tetor, 2019

Zoran Zaev do të largohet nga detyra e kryeministrit, Qeveri teknike 100 ditëshe si dhe zgjedhjet e parakohshme më 12 prill të 2020 janë epilogu i takimit të liderëve të partive politike nën patronatin e Presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

Partitë politike parlamentare në Maqedoninë e Veriut, pas takimit tek Presidenti Pendarovski janë dakorduar që Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen më 12 Prill të vitit të ardhshëm. Kështu deklaroi para gazetarëve Kryeministri Zoran Zaev. Ai shtoi se qeveria teknike do të formohet më 3 Janar.

 “Besoj se më 12 Prill qytetarët me mençuri do të marrin vendimin ku do ta trasojnë rrugën për ne politikanët, që sërish të marrim besimin e tyre”, tha ai.

Vijnë zgjedhjet e parakohshme ku do të fitojë VMRO-DPMNE-ja, kurse pas kësaj duhet punë, të kthejmë atë që kemi humbur periudhën e kaluar – ka theksuar lideri i opozitës Hristijan Mickoski.

“Në pjesën e dytë biseduam për zgjedhjet e parakohshme që janë të pashmangshme pas debaklit që përjetoi Qeveria e Zaevit dhe LSDM-së. Praktikisht kanë përjetuar disfatë padrejtësitë, vjedhjet dhe aferat kriminale gjatë periudhës së kaluar”, tha ai.

Lideri i BDI-së Ali Ahmeti, pas takimit deklaroi se partitë janë dakorduar të mos cënohet rruga euroatlantike e vendit dhe zgjedhjet të kalojnë në frymën demokratike. Lideri i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela tha se 12 Prilli do të jetë data e kthimit të ndryshimeve dhe demokracisë në vend.

Lideri i PDSH-së Menduh Thaci tha se data e zgjedhjeve përputhet me regjistrimin e popullsisë, por se liderët janë përcaktuar për zgjedhje të parakohshme. Kreu i Lëvizjes Besa Bilall Kasami vlerësoi se është populli ai që duhet të vendos për rrugën e ardhshme të vendit.

Nga ana tjetër, kreu i Alternativës, Afrim Gashi theksoi pas takimit se 12 Prilli do të jetë një ditë feste ku do të vijë ndryshimi edhe për shqiptarët.

Paraprakisht, liderët me konsensus kanë konfirmuar përcaktimin që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën drejt Bashkimit Evropian, pa marrë parasysh, refuzimin për datën e negociatave në Samitin e Brukselit. Ky, përcaktim, siç tha Presidenti Pendarovski është opsioni që nuk ka alternativë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!