Iu protestoi poshtë dritares, por Gjyqtarët e Lartë ia kthyen ashtu siç nuk e priste. I dhuruan Sali Berishës një buzëqeshje të përkohshme.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë i riktheu vulën dhe Logon e PD së Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit, dhe urdhëroi Gjykatën e Apelit ta rishqyrtojë çështjen.
Gjykata e Lartë arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit me vendimin e datës 3 mars që ia la vulën Bashës, ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.
Në këto kushte, Kolegji Civil vendosi:
“Prishjen e vendimit Apelit për datën 3 mars dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese”
Kështu, i vetmi vendim ende në fuqi për vulën e PD-së është ai i Agron Zhukrit që ja la partinë Berishës. Të paktën derisa Apeli të vendosë ndryshe, të drejtat zyrtare të PD-së i takojnë Berishës.
I humburi i kësaj dite duhet të ishte Lulzim Basha, por ai shpreson se fati do të jetë me të në të ardhmen.
Në një njoftim zyrtar, ai tha se Vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë është një tjetër hap drejt vendosjes se drejtesise se vonuar per ceshtjen e PD.
“Partia Demokratike mbetet e bindur qe kjo çeshtje, peng i procedurave juridike do te gjeje zgjidhjen e duhur dhe ligjore pa vonesat e shkaktuara nga ata qe minojne drejtesine dhe te tjeret qe i tremben forcimit te opozites”, thuhet në reagimin e selisë me qera të Lulzim Bashës.
Njoftimi i gjykatës:
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë njofton, se në datën 27.12.2023, mori në shqyrtim në dhomë këshillimi çështjen me nr. 90600-00296-00-2023 akti, me palë kërkues: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, me objekt: “Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar.”
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji Civil arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.
Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim.
Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.
Në këto kushte, Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, mbështetur në nenin 480 dhe nenin 485, pika 1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Civile, vendosi:
“Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykate, me një trupë tjetër gjykuese”