Arrestohen 4 përgjegjës të dy call center-ave në Tiranë, sekuestrohen 9000 euro

schedule11:50 - 19 Dhjetor, 2023

schedule 11:50 - 19 Dhjetor, 2023

Kanë rënë në prangat e policisë dy katër përgjegjës të dy call center-ave në Tiranë, ku punonin 29 shtetas, 10 prej tyre të paregjistruar.

Si pasojë, janë sekuestruar 9000 euro, 82 njësi kompjuterike, 23 celularë, 1 DVR, 2 USB dhe 50 karta me numra celularësh.

Ndërkohë, vijon puna për kapjen e administratorëve të këtyre subjekteve, të cilët kishin regjistruar fiktivisht aktivitete të tjera të ligjshme, ndërsa të ardhurat e përfituara nga mashtrimet, pastroheshin nëpërmjet bizneseve të tjera.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në Drejtorinë për Hetimin e këtyre krimeve, në DPPSH, operacioni policor i koduar “De facto”.

Arrestohen 4 shtetas, përgjegjës te 2 call centerat ku punonin 29 shtetas, 10 prej tyre të paregjistruar.

Vijon puna për kapjen e administratorëve të këtyre subjekteve, të cilët kishin regjistruar fiktivisht aktivitete të tjera të ligjshme, ndërsa të ardhurat e përfituara nga mashtrimet, pastroheshin nëpërmjet bizneseve të tjera.

Sekuestrohen 9000 euro, 82 njësi kompjuterike, 23 celularë, 1 DVR, 2 USB, 50 karta me numra celularësh (të kompanive të huaja) dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme, të mbeshtetura te informacionet e inteligjencës policore që janë siguruar në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe të kryera me objektiv evidentimin dhe goditjen e rasteve të mashtrimit kompjuterik, nëpërmjet call centerave, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “De facto”.

Gjatë operacionit: u zbuluan 2 subjekte të tjera ku kryhej kjo veprimtari kriminale, u vunë në pranga shtetasit 31 vjeç, 31 vjeç, 30 vjeç dhe 34 vjeç, të katërt banues në Tiranë, përgjegjës te 2 call centerat, si dhe u shpallën në kërkim administratorët e këtyre subjekteve, shtetasit.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, nëpërmjet 2 subjekteve ekonomike call center, në kryeqytet, të cilat ishin regjistruar në mënyrë fiktive, si aktivitete të tjera tregtare, të ligjshme, mashtronin shtetas në kontinente të ndryshme, kryesisht gjatë orëve të natës, që të investonin shuma të konsiderueshme parash, në tregje fiktive. Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat që gjeneroheshin nga kjo veprimtari kriminale, pastroheshin nëpërmjet bizneseve të të afërmve të shtetasve të implikuar në këto raste.

Nga kontrollet, në të dyja call centerat u gjetën 10 punonjës të paregjistruar, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 9000 euro, 82 njësi kompjuterike, 23 celularë, 1 DVR, 2 USB, 50 karta me numra celularësh, të kompanive të huaja, dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.

Vijon puna për kapjen e shtetasve si dhe në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet intensive për të identifikuar dhe për të arrestuar shtetasit e tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe për të sekuestruar asetet e përfituara në kundërshtim me ligjin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit apelon për administratorët e subjekteve ekonomike që të mos kthejnë bizneset e tyre në call centera ku mashtrohen shtetas shqiptarë apo të huaj, pasi kontrollet, bashkëpunimi me qytetarët dhe puna e inteligjencës policore, vijojnë me intensitet, dhe çdo rast i kësaj veprimtarie kriminale do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!