PEQIN- Vrasja e së premtes në burgun e Peqinit ka “zgjuar” Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve.
Gazetari Ervin Leka raporton se ky institucion ka nisur kontrollet e imtësishme në të gjitha burgjet e sigurisë së lartë, me qëllim parandalimin e ndonjë rasti tjetër të rëndë. Arma e krimit, që u përdor nga Sokol Mjacaj dyshohet se është futur dorazi në burg.
Gazetarja e ABC News, Edisona Skënderi, raportoi se kamerat e sigurisë dhe skaneri në burg kanë qenë jashtë funksionit prej gjashtë ditësh.
Nga ana tjetër autori, Sokol Mjacaj i cili qëlloi për vdekje Arben Lleshin, ka kyçur gojën para hetuesve duke mos treguar asnjë emër se kush mund t’ia ketë dhënë armën. Ai u shpreh se arma është futur brenda nga punonjësit e burgut rreth një muaj më parë.
Po ashtu Mjacaj ka thënë se kishte konflikt me Lleshin për shkak se nuk e lejonte të hynte në sektorin e tij. “Për vrasjen kaq kam për të thënë do shprehem në një moment tjetër”, tha ai./ abcnews.al