Analisti Ben Andoni thotë se ish kryeministri Sali Berisha përbën precedent të mosrespektimit të ligjit.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Andoni u shpreh se Berisha është munduar t’i shmanget drejtësisë.
Andoni shtoi se kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha, por edhe deputetë të caktuar të Foltores do të votojnë pro arrestimit të Berishës.
“Kur gjendet përballë drejtësisë, përdor një retorikë të keqe, është munduar t’i shmanget me gjëra absurde, duke thënë gjëra të pabesueshme dhe interpretime të tjera. Përballja e tij me ligjin ka treguar që zoti Berisha është gati tipar i filozofisë sonë politike, nuk është akomoduar ende me sistemin e drejtësisë. Precedenti i fundit është që mos të dish, mos të duash, dhe të mos ta respektosh sistemin e drejtësisë. Për personazhe si Berisha, ka gjithmonë interpretime të procedurave. Vetë ai, na ka treguar me filozofinë politike që përfaqëson, se nuk e respekton ligjin. Kam frikë që ky precedent do të jetë edhe për politikanë në të ardhmen.
Grupi i Rithemelimit tashmë ka dy caqe, e para caku pragmatik, për të bërë një përballje reale me situatën, e dyta, është momenti i 27 dhjetorit, ku do vendoset për vulën. Nëse vendimi do të jetë për partinë legale, grupi i zotit Berisha nuk do e respektojë. Grupi i Rithemelimit kishte mundësi të përfaqësonte një lloj maturie, duhej ta shmangnin zotin Berisha. Kuvendi duhej lënë pas sqarimit të situatës së zotit Berisha dhe pas legalizimit të vulës së Partisë Demokratike. Grupi i Rithemelimit po tregon që nuk ka nuhatje politike dhe varet nga interesat e zotit Berisha”, theksoi ai.
Sipas analistit Andoni, nuk do të ketë bashkim Bardhi-Basha, teksa ky i fundit dhe deputetë të tjerë të Rithemelimit do të votojnë pro arrestimit të Berishës.
“Nuk e besoj, me çfarë duket, zoti Bardhi nuk ka kupuar realisht, në atë parti e ka bërë ligjin Berisha, Basha kuptoi mekanizmin e drejtimit të zotit Berisha. Partia legale ka logjikë berishiste, por më moderne. Zoti Basha ka humbur bazën dhe kjo është humbje e madhe. Patjetër, unë besoj se do ketë edhe idividë nga Rithemelimi që do të votojnë në këtë mënyrë. Berisha ka qenë i hapur, gjërat që kërkon nga SPAK, ligjvënësit duhet t’i hapin rrugë”, nënvizoi analisti.
Në lidhje me një bashkim të mundshëm të Lulzim Bashës me Argita Malltezin, nëse ajo merr drejtimin e Rithemelimit nga i ati i saj, Andoni pati këtë përgjigje: “Jo, kjo është e pamundur, nëse ndodh kjo, Partia Demokratike, goditjen më të madhe do ta marrë nga Rithemelimi. Për mua, Berisha ka kohë që nuk funksionon politikisht.”
Për Samitin BE-Ballkani Perëndimor të zhvilluar në Bruksel, Andoni deklaroi se Bashkimi Evropian e përdori si pretekst, pretendimin e Greqisë për Shqipërinë, që lidhet me çështjen Beleri.
“Më ka bërë shumë përshtypje, dy ditë më përpara diheshin rezultatet e samitit. Pjesa e Greqisë është bërë për t’u justifikuar, ky është vendim i Bashkimit Evropian. Ka pasur predispozitë më të mirë për Ukrainën dhe Moldavinë, sesa për Shqipërinë dhe vendet e tjera që janë më afër Bashkimit Evropian. Është paradoks i madh. Thjesht është bërë për të fituar kohë. Do duhet që Bashkimi Evropian të fusë dy vendet sllave, Malin e Zi dhe Serbinë, që për fatin e tyre të keq kanë ngecur dhe nuk mund të ndrsyhojnë modalitetet. Shqipëria është i vetmi vend që nuk ka konflikt. Greqia është përdorur si pretekst, Bashkimi Evropian do të fitojë kohë dhe do të marrë kohë”, përfundoi analisti Andoni./abcnews.al