Mirush Kabashi, një nga mjeshtrit e artit skenik u nda nga jeta këtë të martë në moshën 75-vjeçare, pas një beteje 3-vjeçare me një sëmundje të rëndë.
E ftuar në emisionin “Pas Mesnate”, drejtoresha e arkivit të filmit, Marinela Ndria ka ndarë disa nga momentet e kaluar me të në projektin e fundit. Ajo e konsideroi Kabashin me një mirësi dhe çiltërsi shumë të madhe, edhe ndryshe nga aktorët e tij nuk ishte shumë i hapur dhe nuk fshihte asgjë.
Madje, Ndria kujton dhe një moment kur Kabashi i kishte kërkuar një dëshirë të fundit, e cila lidhej me disa foto nga roli i toger Shazivarit, që donte t’i ruante si kujtim.
“Që ai ishte një aktor brilant, këtë e thonë të gjithë kritikat, mediat virtuale që ne kemi, të gjithë ata që e njihnin kanë bërë një postim të tyre, një foto të tij ose një batutë të tij, sepse ka filma shumë që i ka me batuta.
Unë nuk e kisha njohur më përpara nga afër, fati im që isha në funksionin që kisha më bëri që ta njihja dhe kaluam shumë ditë me të. Kaluam shumë ditë me të, sepse në shumë televizione ishte shumë i gatshëm të fliste për filmin, sepse roli i toger Shazivarit ishte një rol që ai e donte shumë. Madje, kishim organizuar dhe një ekspozitë aty dhe më tha: ‘Të lutem disa foto nga filmi me cilësi të mirë, që të kem një album dhe t’i stampojë që t’i kem në shtëpi’. Mu duk si një dëshirë e fundit, unë nuk e harrova dhe ne e realizuam atë gjë mbas disa muajsh, sepse ai mendonte se unë e kisha harruar. Unë njohja një person me një mirësi shumë të madhe, me një çiltërsi shumë të madhe. Nëpër mediat ku ne shkonim, mbasi mbaronim bisedën, ai kishte gjithmonë replika dhe më thoshte ‘Marinela, mos fola unë shumë, mos thash më shumë nga sheshxhirimet që ne kemi’. Sepse sheshxhirimet kanë qene me plot emocione dhe mund të kenë pasur dhe situata jo të këndshme, të cilat ai i tregonte”, u shpreh Ndria./abcnews.al