Nga auditorët e akademisë ushtarake në Itali, te studiot televizive dhe drejtimi i projekteve milionëshe në Kanada, historia e Mendi Kabashit, vajzës së aktorit të mirënjohur, të ndjerit Mirush Kabashi, është një dëshmi e forcës, disiplinës dhe ambicies së gruas shqiptare.
E diplomuar për drejtësi në Università degli Studi di Roma Tor Vergata dhe e formuar për pesë vite si oficere në Arma dei Carabinieri, ajo mban gradën e oficeres në rezervë. Përvoja e saj në strukturat shtetërore vijon edhe në Shqipëri, ku ka shërbyer si këshilltare ligjore në Ministrinë e Mbrojtjes, duke kontribuar në procese të rëndësishme juridike.
Por rrugëtimi i saj nuk ndalet aty. Në Toronto, ajo ndërtoi nga e para një karrierë të suksesshme në menaxhimin e pronave, një sektor që kërkon precizion dhe përgjegjësi të lartë. Sot, si Senior Property Manager në zonën Liberty Village, ajo menaxhon komplekse të mëdha rezidenciale, buxhete shumëmilionëshe dhe projekte infrastrukturore.
Paralelisht, Mendi Kabashi ka hyrë me siguri edhe në botën e medias. Si moderatore e emisionit IN Talks në NSM TV, ajo sjell një format ndryshe nga intervistat klasike, një hapësirë ku rrëfimet personale marrin jetë dhe thellësi.
“IN Talks” nuk është thjesht një program televiziv, por një platformë që vendos njeriun në qendër, duke eksploruar rrënjët, sfidat dhe rrugëtimet e figurave me ndikim. Në çdo episod, të ftuarit nuk flasin vetëm për arritjet, por për historinë pas tyre.


