Trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja, ishte i pranishëm në konferencën për shtyp para sfidës kundër Moldavisë. Në fjalën e tij, kreu i stolit kuqezi tha:
TURQIA – “Ishim pak nervozë pas ndeshjes kundër Turqisë, për rezultatin më shumë. E rëndësishme për ne është të mbajmë këtë intesitet loje dhe të fokusohemi te gjërat pozitive, rezultatet do të vijnë. Shpresoj që të marrim edhe rezultate përveç lojës së bukur”.
FORMACIONI – “Më duhet pak më shumë kohë për të vendosur formacionin. Mendoj se do të bëj shumë pak ndërrime. I kemi rikuperuar të gjithë, por do të vendosim nesër në mëngjes. Do të doja të shikoja të njëjtën lojë edhe kundër Moldavisë”.
MOLDAVIA – “Skuadrat e mia në përgjithësi nuk nënvlerësojnë askënd, kushdo qoftë kundërshtari. Moldavia është një skuadër e fortë, na vuri në vështirësi edhe në Elbasan. Do të futemi me të njëjtin mentalitet si kundër Turqisë dhe nuk pres asgjë tjetër vec maksimumit”.
STRATEGJIA – “Ne e dimë që të luash atje kundër Moldavisë, nuk do të jetë e thjeshtë. E përsëris që na kanë vënë në vështirësi edhe në Shqipëri. Ne do t’i studiojmë me vëmendje dhe do t’i përgjigjemi zgjedhjeve të tyre”.
E ARDHMJA – “Normalisht, do të më pëlqente të vazhdoja punë me këtë skuadër. Do të flasim për të gjitha pikat, çfarë shkoi, çfarë nuk shkoi gjatë kohës time këtu. Për këtë pyetje, duhet të flasim edhe me presidentin. Jam i lumtur për të vazhduar punë këtu, skuadra më jep impulse pozitive. Do të shohim deri ku mund të arrijmë me këtë grup që kemi”.
RIVALI – “Për t’u përballur me një trajner me të njëjtën eksperiencë si e imja, do të jetë e vështirë. Duhet të kenë përgatitur ndonjë “grackë” për ne, shpresoj të jemi të përgatiur. Ne si Shqipëri, synojmë vendin e dytë deri në fund. Do të jetë shumë e vështirë, pasi varemi nga rezultatet e skuadrave të tjera. Për ne, e vetmja gjë që ka mbetur, është të marrim pikët maksimale”, përfundoi Reja./abcnews.al