Ende nuk ka një vendim se çfarë do të ndodhë me rreth 7900 vota të ardhura me vonesë nga diaspora dhe Serbia. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë nuk arriti dot në një vendim dhe pas një debati që zgjati më shumë se një orë.
Anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë edhe pas më shumë se një orë debat nuk kanë arritur të vendosin se çfarë do të ndodhë me 4500 vota të pranuara me vonesë nga Diaspora si dhe 3400 të tjera të ardhura nga Serbia.
Besnik Buzhala, zv/kryetari i Sekretariatit të KQZ-së, tha se janë pranuar 15 mijë e 794 fletëvotime deri në afatin kohor të rregullt.
Ai bëri të ditur se janë 3 mijë e 782 të ardhura nga Serbia, por që nuk kanë ardhur individualisht dhe mënyra e dërgesës nuk ishte e duhura.
Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së nga Vetëvendosje, tha se duhet të pranohen sepse vonesat e tyre janë për arsye objektive.
Anëtari i KQZ-së, nga Lidhja demokratike e Kosovës, Sami Hamiti, tha se duhet respektuar ligji edhe në votat e vonuara të diasporës edhe për ato që kanë ardhur në mënyrë jo të rregullt nga Serbia.
Anëtart Stefan Veselinoviç nga Lista Serbe tha se nuk ka asgjë të jashtëligjshme me votat që vijnë nga Serbia. Iliri Gash, anëtar i KQZ-së, nga Partia demokratike e Kosovës ka kërkuar që të respektohet ligji në të dyja rastet.
Anëtari i VV-së Adnan Rustemi ka sqaruar se dërgesat e ardhura nga Serbia janë të kundërligjshme, duke kërkuar edhe një herë që pranohen votat nga diaspora. Ai theksoi se në këtë rast nuk ka vend për krahasime.
Anëtari nga LDK-ja Sami Hamiti tha se Serbia nuk ka respektuar marrëveshjen për telekomunikacionin.
Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, deklaroi se votat e dërguara me zarf do të trajtohen sipas ligjit të zbatuar deri tani. /ABC News Albania 24/7